
Ettore Sequi, kreu i misionit të BE-së në Tiranë, i dorëzoi pasditen e së mërkurës kryeministrit Edi Rama progres-raportin e Komisionit Europian.
Në një deklaratë të përbashkët për median, shefi i qeverisë shqiptare i rezervoi tonet euforike për këtë lajm të mirë nga Brukseli kur tha se, “nuk është rasti të flitet për fitore apo për mitingje festive, por duhet të punohet për plotësimin e kushteve të vendosura nga Komisioni Europian”.
“S’ka dyshim se lajmi i sotëm është inkurajues, por koha e rrahjeve të gjoksit dhe daulleve qeveritare ka mbaruar më 23 qershor. Propozimi për statusin vjen dhe tanimë është e qartë se zgjedhjet ishin de fakto kushti i papërmbushur i dhjetorit të shkuar. Për herë të parë raport-progresi flet për mundësi reale për hapjen e bisedimeve për anëtarësim vitin e ardhshëm, nëse përmbushen kushtet kryesore dhe ne jemi 100 për qind të angazhuar për këtë”, deklaroi Rama.
Kryeministri Rama vlerësoi kontributin e qeverive paraardhëse në proceset integruese të vendit, si dhe komentoi edhe atë çfarë shkruhet në këtë raport për aktin normativ të nëpunësit civil.
“Ky proces shumëvjeçar ka qenë për cdo vend më i gjatë se historitë e qeverive. Por sot ka një ndryshim, se ndryshe nga qeveria e mëparshme neve nuk do të na dëgjoni të shajmë opozitën për të ndarë popullin në të mirë e të këqinj, apo në diversantët e Brukselit dhe të tjerët. Akti normativ do t’i paraqitet Kuvendit të enjten dhe ajo që shkruhet në raport për këtë mund të jetë një pikë e referueshme për opozitën për të marrë pjesë në votim”, nënvizoi Rama.
Ndërsa ambasadori Sequi, nga ana e tij, shpjegoi se çfarë do të thotë për Shqipërinë ky rekomandim i Komisionit Europian. “Komisioni Europian arriti në përfundimin se Shqipëria ka ndërmarrë progres të mirë në rrugën e saj drejt BE-së, veçanërisht duke miratuar masat e identifikuara si thelbësore në dhënien e statusit të vendit kandidat. Duke vazhduar të japë rezultate në reformat që lipsen në përmbushjen e prioriteteve që janë nxjerrë në Komisioni eEropian në opionin e vitit 2010. Duke patur parasysh këtë progres të deritanishëm, KE rekomandon që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat me mirëkuptimin që ajo të vazhdojë të ndërmarrë hapa dhe veprime në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, deklaroi Sequi.
Sikurse në vitet e shkuara, ambasadoi Sequi në mënyrë simbolike ia dorëzoi zyrtarisht progres-raportin edhe presidentit të Republikës Bujar Nishani, kyetarit të Kuvendit Ilir Meta dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati. Kryediplomati i BE-së në Tiranë vizitoi edhe selinë e opozitës, ku bashkëbisedoi me kryetatin e PD, Lulzim Basha për progres-raportin.
“Progres-raporti është një vlerësim real i arritjeve të qeverisë së kaluar. Zgjedhjet e 23 qershorit u organizuan më së miri nga qeveria, edhe pse në kushtet e bojkotit të Kuvendit nga opozita. Sot është një ditë e gëzuar për mbarë popullin shqiptar. Është e ftuar të gëzojë qeveria aktuale edhe pse nuk i bëri detyrat e veta. Tashmë, PD-ja zotohet të bëjë gjithçka për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE”, deklaroi Basha.
Sequi “përkthen” raportin: Arritjet dhe detyrat
Ambasadori i BE-së në Shqipëri në konferencë për shtyp
Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Ettore Sequi, në një konferencë për
shtyp shpjegoi mbrëmjen e së mërkurës arritjet dhe detyrat më kyçe që i mbeten
përpara Shqipërisë për të realizuar.
“Lufta ndaj korrupsionit dhe krimit është një kusht i domosdoshëm, jo vetëm për
marrjen e statusit, por do të jetë i tillë edhe në ditën që vendi do të shndërrohet
në një anëtar me të drejta të plota të Bashkimit Europian”, shpjegoi Sequi.
“Ne aspektin politik, Shqiperia ka bere nje progres te rendësishëm. Qeveria dhe
opozita kanë bashkëpunuar në një sërë ligjesh të rëndësishme për vendin. Hapa të
rëndësishëm janë shënuar edhe në gjyqësor, masat për parandalimin e
korrupsionit, sekuestrimin e narkotikëve dhe të aseteve kriminale”.
“Dialogu politik duhet te vazhdoje te thellohet, ashtu si pavaresia e
gjyqesorit e prokurorise”, vazhdoi Sequi. “Reforma në administratë duhet të
vazhdojë, ashtu si në fushën e të drejtave të njeriut, në veçanti në trajtimin
e romëve”.
Duke u ndalur tek kriteret ekonomike, ambasadori pranoi se “ekonomia mbetet
ende e dobët, e cënueshme ndaj dobësive strukturore të brendshme dhe
paqëndrueshmëria ekonomike globale. Megjithatë, PBB është rritur kryesisht në
sajë të rritjes së eksporteve, por papunësia mbetet e lartë. Masa duhet të
merren, përveç punësimit, edhe për borxhin e lartë dhe kreditë e këqija”.
Përsa i përket legjislacionit, “Shqipëria duhet të përafrojë ende ligjin për të
drejtat e autorit, tatimet, mjedisin dhe ndryshimet klimaterike”.
Sequi kërkoi që puna për konsolidimin e rezultateve të vazhdojë deri në
dhjetor, kur Këshilli i Ministrave të KE-së të shqyrtojë rekomandimin e
Komisionit për dhënien e pakushtëzuar të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.
Ambasadori gjithashtu i drejtoi një thirrje politikës, duke thënë se “gjithpërfshirja
duhet të jetë një element i përhershëm i politikës shqiptare”.
Berisha: Statusin e meritonim më parë
Pas publikimit të raport-progresit të Komisionit Europian, ish-kryeministri Sali Berisha reagoi në rrjetin social Facebook, duke shkruar se Shqiperia e ka merituar dhe e meriton plotesisht statusin e vendit kandidat.
“Ky eshte nje rekomandim plotesisht i merituar. Me reformat e realizuara ne keto vite nga mazhoranca e PD, demokracia dhe ekonomia e tregut ne Shqiperi jane bere me funksionale.
Stausi i vendit kandidat qe u rekomandua nga Komisioni Europian ne tetor te vitit 2012, me kushtin e vetem qe te votoheshin tre ligjet ne parlament, per te cilat ishte arritur konsensusi qe ne fillim te vitit 2012, u mor peng nga Edi Rama. Ai refuzoi votimin e ketyre ligjeve vetem e vetem qe statusi te bllokohej.
Natyrisht ne suksesin e bllokimit te statusit, Rama u ndihmua dhe nga albanofobe jo shqiptare ne Bruksel dhe ne ndonje vend Europian. Ligjet u votuan me konsensus me date 30 maj dhe perseri neser Rama me votimin e aktit normativ asgjeson konsensusin e dates 30 maj, ne nje perpjekje te re antishqiptare per ta shtyre statusin per me vone, me qellim qe kjo te mos njihet si merite e PD.Integrimi eshte jetik per Shqiperine.
Ai nuk eshte proces pa veshtiresi, por veshtiresia e pare dhe me e rendesishme per shqiptaret ne kete rruge eshte Rama, te cilit per integrimin nuk i beson njeri ne Bruksel dhe Europe.
Ramen nuk e besojne jo se e paragjykojne por sepse ne memorjen europiane ai eshte politikani i vetem ne kontinent qe beri gjithçka per te penguar Marreveshjen e Stabilizim Asociimit (futi daullet dhe bilbilat ne parlament), hapjen e proçesit per vendimin e statusit (bojkotoi parlamentin), heqjen e vizave (organizoi greven e urise) dhe rekomandimin per statusin e vendit kandidat (refuzoi votimin e tre ligjeve qe kerkoi si kusht te vetem Komisioni Europian)”, shkruan Berisha.
Top Channel