
Vizita 1-ditore në Tiranë e zv.kryeministrit dhe njëkohësisht Ministrit të Jashtëm të Greqisë, Evangjelos Venizellos është komentuar në përgjithësi me ngjyra pozitive nga shtypi vendas dhe për herë të parë gazetat kryesore nuk dalin me komente negative për kërkesat që ka shtruar Tirana zyrtare për zgjidhje, por theksojnë nga ana tjetër pozicionimin e vendosur të Athinës për të zgjidhur çdo problem me anë të bisedimeve.
Sipas së përditshmes “Ta Nea” kryeministri shqiptar, Edi Rama i ka shprehur përfaqësuesit të qeverisë greke vullnetin e qeverisë shqiptare për t’i dhënë një dimension të ri bashkëpunimit të të dy vendeve, në bazë të frymës së miqësisë dhe interesave të përbashkëta.
Në të njëjtën gjatësi vale ka qenë edhe deklarata e kreut të diplomacisë greke për mbështetjen që do i bëjë Athina zyrtare Tiranës në rrugën e integrimit në BE, komenton gazeta, që thekson më pas se në takimin me Ministrin e Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati janë shtruar për zgjdihje cështjet që ngelen ende pezull midis dy vendeve.
Në të njëjtën frymë është edhe shkrimi i faqes elektronike të gazetës “To Vima” e cila përmend deklaratën e Ministrit shqiptar Bushati për heqjen e ligjit të luftës dhe njohjen tashmë të të drejtave të pronave të çamëve, si dhe përgjigjen e homologut të tij grek për ekzistencën e Paktit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit dhe nënshkrimin e vendimit të paqes midis dy vendeve nga ana e Këshillit të Ministrave në vitin 1987, si dhe të drejtën e kujtdo për të shkuar në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
E përditshmja “To Ethnos” komenton se bashkëpunimi i ngushtë për zgjidhjen e problemeve pezull në marrëveshjet Shqipëri–Greqi ishte epiqendra e bisedimeve midis zv.kryeministri grek Venizellos dhe kryeministrit Rama e Ministrit të Jashtëm shqiptar, Bushati.
Ndërsa sipas “Kathimerini” përvec nënshkrimit të Memorandumit të Miqësisë është i rëndësishëm përmirësimi i kontakteve dypalëshe dhe për këtë do të rifillojë menjëherë punën Komisioni i Përbashkët për çështjen e Varrezave Ushtarake si dhe komisione të tjera për çështje politike dhe teknike midis dy vendeve, ndërsa mund të ketë deri seanca të përbashketa midis dy qeverive.
Nga ana tjetër disa faqe interneti kanë shigjetuar publikimin e rezulutës për cështjen çame në Fletoren Zyrtare dy ditë para vizitës së delegacionit grek duke komentuar se qëndrimi i Athinës ndaj faktorit shqiptar duket se po merr një kthesë të përshtatur sipas dëshirave të Amerikës.
Pavaresish, thonë komentet, se mund të vërehen rezultate pozitive në një të ardhme jo shumë të largët ekziston skepticizmi për marrëdhëniet me Tiranën dhe me kryeministrin e ri shqiptar, ndërsa pritet me interes vizita e Presidentit Papulias në fillim të nëntorit në Shqipëri me shpresën e mos ripërsëritjes së incidenteve të disa viteve më parë që sollën anulimin e saj.
Top Channel