Lëvizte me eksploziv dhe armë, pranga 37-vjeçarit në Tiranë. Kishte vendosur maskë silikoni
Oficerët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit do t’i
nënshtrohen një procesi të thellë hetimi, në lidhje me përftimin e
gradave.
Vendimi është ndërmarrë në saj të dyshimeve që Ministria e Brendshme ka në lidhje me përftimin e gradave nga oficerët e policisë. Burime nga ky institucion bëjnë me dije se një grup oficerësh të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, në polici, kanë shkuar në Policinë e Shtetit për të nisur verifikimin e gradave për të katër nivelet e gradave; zbatues, të parë, të mesëm dhe të lartë.
Sipas të dhënave, dyshohet se në procesin e lëshimit të gradave ka pasur abuzime, pasi janë graduar persona që kanë shkelur hapur ligjin “për Policinë e Shtetit”. Gjithashtu, dyshohet se gjatë këtyre 8 viteve janë bërë selektime në mënyrën e ecurisë në gradë të oficerëve të ndryshëm, duke dhënë edhe gradime për oficerë policie që nuk e meritojnë. Mësohet se grupi hetimor do të ketë më shumë në fokus, verifikimin e marrjes së gradave nga kryekomisar deri te drejtues i parë, sepse këtu dyshohet se janë kryer shkeljet më të mëdha. Ata personat që gjenden me shkelje ligjore do të çohen për ndjekje penale.
“Një grup i ngritur posaçërisht për hetimin e çështjes në fjalë, ka zbarkuar në orën 08:00 të mëngjesit të së hënës në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Shtetit. Ata kanë sekuestruar të gjitha dosjet e punonjësve të policisë dhe pa humbur kohë kanë nisur verifikimin e tyre. Shkeljet më të mëdha dyshohet se janë bërë në mosrespektimin e periudhës kohore që i duhet një oficeri policie për të fituar të drejtën e marrjes së një grade tjetër”, pohojnë burimet nga Ministria e Brendshme.
Sipas tyre, ka të tjera dyshime se disa prej policëve që kanë marrë grada janë bërë më pas drejtues, duke u mbështetur në preferenca më shumë sesa në meritë. Pjesë e hetimit të ngritur nga SHKB-ja, do të jenë gradimi i oficerëve të lartë të Policisë së Shtetit. Gjithashtu, në listën e verifikimeve të SHKB-së, do të jenë edhe procedurat e ndjekura në konkurset për gradimet dhe mënyrën e vlerësimit të oficerëve, të cilët kanë konkurruar për gradë.
Sipas ligjit për Policinë e Shtetit, punonjësit e policisë nuk kanë të drejtë të aplikojnë, për të konkurruar në procesin e përzgjedhjes, pa përmbushur afatet kohorë në punë. Për të marrë gradën e nivelit zbatues, si inspektor, kryeinspektor, duhet që punonjësi i policisë të bëjë nga dy vjet punë për se cilën prej tyre. Pas çdo afati kohor, punonjësi i policisë aplikon në konkursin e përzgjedhjes për marrjen e gradave më të larta. E njëjta kohë duhet që të marrësh gradën nga kryeinspektor në nënkomisar.
Ndërsa për të kaluar në nivele më të larta të policisë, si komisar, kryekomisar dhe drejtues, duhet që të bëjnë nga 3 vjet punë, për çdo gradë të përmendur. Për t’u bërë drejtuesi i parë dhe “Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm”, duhet të bëjnë 4 vite të tjera për çdo post. Drejtori i Përgjithshëm është pa afat kohor. Gjithsesi, ende nuk ka një bilanc të personave që u janë uluar gradat. Pasi SHKB-ja të dorëzojë pranë Ministrisë së Brendshëm raportin përfundimtar, pritet që shumë prej oficerëve të policisë, kryesisht të nivelit të lartë drejtues, të ketë ndryshime dhe ulje gradash.
Top Channel