Bulqizë, bashkia përplaset me sindikatën

15/10/2013 00:00

Pronësia mbi Pallatin e Kulturës në Bulqizë, ka çuar në një përplasje të
fortë Konfederatën Sindikale të Shqipërisë me bashkinë e këtij qyteti.

Rrënjët e këtij konflikti janë të hershme kur me vendimin civil të vitit 1995 të Gjykatës së Bulqizës, i lënë në fuqi dhe nga Gjykata e Apelit në vitin 1996, që detyron palën e paditur Bashkinë Bulqizë, të lirojë ambientet e bibliotekës dhe 4 zyra që ndodhen në ambientet e brendshme të Pallatit të Kulturës. Mbi bazën e këtij vendimi, përmbaruesi privat, Shpëtim Allamani, kishte vënë në dijeni palën kreditore KSSH-në dhe atë debitore Bashkinë Bulqizë, që të bëhej ekzekutimi vullnetar i diapozitivit të këtij vendimi.

Por, ekzekutimi i këtij vendimi ka hasur në kundërshtimin kategorik të Bashkisë Bulqizë, pasi bashkia disponon certifikatën e pronësisë mbi Pallatin e Kulturës, gjë të cilën nuk e disponon pala tjetër. Kryesindikalisti Kolë Nikollaj, duke parë se është krejt i pamundur zbatimi vullnetar i këtij urdhër-ekzekutimi kërkoi nga përmbaruesi privat, Shpëtim Allamani, lirimin forcërisht të ambienteve, ku me thyerje u hap dera e sallës së bibliotekës. Në këtë moment ka ndërhyrë policia bashkiake, e cila nuk ka lejuar veprimet e mëtejshme të përmbaruesit për hapjen e zyrave të tjera forcërisht. Për rreth 4 orë kanë vijuar përplasjet e mosmarrëveshjet mes palëve, ku më në fund është bërë një përpjekje edhe nga policia e rendit në mbështetje të përmbaruesit privat, por përplasja me policinë bashkiake dhe komunitetin, i çoi palët në dialog, ku u ra dakord mes tyre shtyrja për 10 ditë e ekzekutimit të këtij vendimi.

Top Channel