Përdhunim ose jo, ekspertiza, të mërkurën

14/10/2013 00:00

Vajza 17-vjeçare me autizëm, e dhunuar ditën e premte në institucionet e
kujdesit në qytetin e Durrësit, ndodhet me serume në shtëpinë e saj.
Babai i saj thotë se gjendja psikologjike dhe fizike është përmirësuar.

“Ndihet më mirë, po luan me lodrat e saj, tani është më mirë. Ka bërë serume, por në një pasazh kur kaluam pranë institucionit të kujdesit, në shkollën speciale në Durrës, ishim me makinë dhe ajo është stresuar, duke shfaqur pakënaqësi teksa ka riparë mjedisin”, thotë babai i 17-vjeçares së dhunuar, Taulant Juba. Dyshimi që ngriti babai i 17-vjeçares dje në gazetën “Shqip” për tentativë për përdhunim do të vërtetohet ditën e mërkurë. Raporti i ekspertizës mjekoligjore që do të bëhet në Durrës pritet të publikohet ditën e mërkurë.

“Na kanë thënë se raporti i mjekësisë ligjore pritet të dalë pas dy ose tri ditëve, jemi në pritje të daljes së tij. Ndërkohë që ndër zhvillimet nga dje deri sot është një takim që kemi zhvilluar me ministrin e Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj. Përfaqësues të ministrisë kanë shkuar në Durrës në institucion, të dërguar nga ministri”, deklaroi babai i pacientes autike, Taulant Juba. Dje, drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror dhe këshilltarja e ministrit të Mirëqenies Sociale kanë shkuar në Durrës, për të folur dhe për të parë nga afër institucionet e kujdesit. “Urdhërova hetim për rastin ‘Juba’ në Durrës, takova prindin në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, kam nisur këshilltaren dhe drejtoreshën e re të Shërbimit Social Shtetëror në Durrës me policinë e prokurorinë! Hetimi ka nisur në Durrës, tolerancë 0 maskarait që gjendet fajtor”, ka shkruar në Twitter-in e tij dje ministri Veliaj, pas takimit me babain e 17-vjeçares së dhunuar. Familjarët e saj janë njoftuar të premten se vajza e tyre është gjetur e çarë, e gërricur, me të qepura në kokë, e gjakosur në pjesën më të madhe të trupit.

Vajza 17-vjeçare e dhunuar, autike, kupton mirë gjithçka që ndodh përreth, por në pamundësi për të folur nuk arrin të shpjegojë asgjë. Autizmi është një sëmundje që lidhet me moszhvillimin normal të trurit. Shfaqet herët pas vitit të dytë të jetës te fëmijët. Kjo sëmundje prek çdo aspekt të zhvillimit psikologjik e social.

Punonjësit e qendrës rezidenciale tregojnë se 17-vjeçarja është nisur nga institucioni në orën 08:20 drejt shkollës speciale, ndërsa është kthyer në orën 10:10 e shoqëruar me një prej mësuesve të shkollës speciale, e qepur në kokë, me të çara, të gërricura. Mësuesit e shkollës deklarojnë se 17-vjeçarja ka qëndruar në klasë e veshur trashë, me një kapuç në kokë, ndërsa në faqe i rridhnin currila gjaku, çka u kishte bërë përshtypje, dhe këmbëngulin se vajza ka mbërritur në shkollë në këtë gjendje.

Dhunimi i 17-vjeçares autike në Durrës ka sjellë një përplasje mes qendrës ku ajo strehohej dhe shkollës, ku ajo ndiqte studimet, pasi të dyja palët pretendojnë se ajo nuk është dhunuar në asnjë nga institucionet.

Top Channel