“Nëpunësi”, qeveria: Kemi 84 vota

14/10/2013 00:00

Mazhoranca qeverisëse edhe njëherë tjetër ka apeluar për dialog pa kushte me opozitën për Aktin Normativ të Nëpunësit Civil.

Ministrja Milena Harito, në një deklaratë nga Kryeministria, tha se qëndrimi opozitës nuk bën asnjë tjetër përveç se mbyll derën e dialogut.

“Nëse opozita mendon që ligji është i zbatueshëm, le të vijë, të ulet në tryezë dhe të na thotë argumentet e veta. Nëse opozita që ligji nuk është i zbatueshëm, por Qeveria nuk duhet të bëjë asgjë, le të vijë dhe të dëgjojë argumentet tona. Në këtë rast na duhet t’i kujtojmë që ne kemi shumicën konsensuale me 84 vota dhe do të na duhet ta vëmë atë në lëvizje. Por ne mendojmë që deri ditën e enjte ka ende kohë për mirëkuptimin, për ballafaqim, për diskutim”, u shpreh Harito.

Megjithatë, maxhoranca është e vendosur ta votojë Aktin Normativ seancën e të enjtes në Parlament. Fillimisht për këtë çështje, Top Channel pyeti ministrin për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirian Celibashi.

Top Channel
: Si do të procedohet me Aktin Normativ, në një kohë kur opozita e ka shprehur qëndrimin?

Celibashi: Ai është në programin e punës së Kuvendit dhe do të vazhdojë shqyrtimin procedura në Kuvend.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dha një përgjigje të kujdesshme.”Çdo gjë do të ecë sipas parashikimeve”, tha Meta.

PD: Ftesa e qeverisë, një farsë
Nuk kemi asnjë kusht. Kusht ka vënë Rama me aktin normativ

Ish-kryeministri Sali Berisha e cilësoi një gabim historik të mazhorancës vendosjen e një afati detyrues që opozita të ulet në dialog për aktin normativ, i cili shtyn me 6 muaj hyrjen në fuqi të nëpunësit civil.

Në një postim në Facebook, ish-kryeministri Berisha e konsideroi një ultimatum për opozitën deklaratën e qeverisë, se ajo do ta shqyrtojë të enjten këtë akt normativ, çka fakton, sipas zotit Berisha, se ftesat e kryeministrit Edi Rama apo të Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk kanë patur për qëllim as dialogun, as zgjidhjen e mosmarrëveshjes.

Berisha, duke mbështetur qëndrimin e opozitës se qeveria duhet të tërheqë më parë aktin normativ dhe më pas të nisë dialogu, thotë se ftesat e Rames dhe Metës kanë patur për qëllim jo vetëm ekzekutimin e konsensusit, por edhe për të përligjur aktin antikushtetues të qeverisë.

Sipas ish-kryeministrit Sali Berisha, me zhbërjen e njëanshme të konsensusit, Edi Rama dhe Ilir Meta faktuan se votimi i ligjit për nëpunësin civil më 30 maj, bashkë me dy kushtet e tjera, për marrjen e statusit të vendit kandidat, është bërë për të mashtuar shqiptarët për qëllime elektorale.

Ndërkohë, në një reagim pasdite vonë, Partia Demokratike rikonfirmoi qëndrimin e opozites se ftesa për dialog është vetëm një farsë, përderisa Kushtetuta e ndalon ndryshimin e aktit normativ në Parlament.

“Opozita nga ana e saj  nuk ka vënë asnjë kusht, por i kërkon  zotit Rama të heqë kushtin e tij, pra të tërheqë aktin normativ për të mundësuar  dialogun. Konsensusi nuk është çështje numrash, por vullneti dhe vlerash të bashkëndashme. Shqiptarët nuk i dhanë një shumicë të cilësuar kësaj qeverie. Nëse qeveria po tenton të fabrikojë me marifete ekstrazgjedhore një shumicë të cilësuar enkas për këtë rast, ky do të jetë një atentat i dyfishtë kundër  konsensusit, me pasoja akoma më të rënda për vendin. Nga qorrsokaku i aktit normativ nuk dilet me verbëri dhe arrogancë, por me mendje të hapur e me arsye”, deklaroi zëdhënësja Laura Vorpsi.

Top Channel