Është zgjidhur më në fund çështja e strehimit të 37 familjeve rome të mbetura jashtë pas largimit prej barakave të tyre në kryqëzimin pranë Shkollës Teknologjike në Tiranë.

Ministria e Mbrojtjes ka vendosur të dhurojë ambientet e ish-repartit ushtarak në Tufinë në shërbim të këtyre familjeve duke marrë përsipër zgjidhjen e çështjes së pronarit të truallit.

Punimet për shndërrimin e ambienteve në banesa të përshtatshme kanë disa ditë që kanë nisur dhe aktualisht çdo gjë është drejt përfundimit.

Ministri Veliaj dhe ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ishin këtë të dielë në Tufinë ku kanë inspektuar punimet për qendrën e re të romëve.

“Është e vetmja mënyrë që të jemi pranë një spitali, pranë një shkolle, pranë të gjitha shërbimeve të infrastrukturës në mënyrë që të ofrojmë shërbime për të gjithë”, deklaroi Veliaj.

“Nuk do të jetë ky rasti i vetëm pasi ne do të vazhdojmë të përkujdesemi për këtë shtresë në nevojë”, theksoi Kodheli.

Ministri Veliaj e ka cilësuar zgjidhje të përkohshme strehimin e familjeve rome në këto ambiente, pasi sipas tij është kompetencë e Bashkisë së Tiranës të strehojë kategoritë në nevojë: “Sot në Tiranë ekzistojnë 450 banesa sociale që ish-kryebashkiaku Rama ia la si “pajë” drejtuesve të rinj të Bashkisë së Tiranës. Ai që drejton Bashkinë e Tiranës duhet të kthehet në detyrë, të mbledhë Këshillin Bashkiak dhe t’i shpërndajë këto banesa sociale.”

Ndërsa Avokati i Popullit, Igli Totozani, ka kërkuar ndërhyrjen sa më parë në legjislacion me qëllim që komuniteti rom të ketë akses shërbimi në strehim dhe punësim: “Nuk duhet të harrojmë që romët janë ende të përjashtuar socialë. Kriteret ligjorë që parashikon sistemi ynë social për strehimin, ndihmën ekonomike dhe punësimin, romët nuk i plotësojnë dot.

Sipas ministrit të Mirëqënies, Erjon Veliaj, transferimi i familjeve rome drejt destinacionit të ri në Tufinë do të bëhet brenda kësaj jave, kur pritet që në Tiranë të mbërrijë edhe raportuesi i BE-së për çështjet sociale.
 

Top Channel