“Politika të ndryshojë mentalitet”

13/10/2013 00:00

Shkrimtari dhe politikani Dritëro Agolli apelon për dialog të palëve në politikën vendase. Në 82-vjetorin e lindjes, emri i madh i letërsisë shqiptare nuk ngurron t’i përgjigjet interesimit të dukshëm të medias për opinionet e tij, edhe mbi konfliktin më të ri të politikës në vend, që ka lënë opozitën jashtë parlamentit, si reagim për shtyrjen e ligjit për administratën publike.

“Po, dhe ajo mendoj se është kthyer në një zakon dhe nuk duam ta prishim atë. Se le të thojë kushdo, që ka qenë mirë në atë periudhë dhe ka qenë keq në këtë tjetrën, nuk është ashtu. Gjithnjë, administrata publike, sapo ka ardhur një forcë tjetër politike është ndryshuar. Po hoqe dorë nga kjo, ke arritur një përparim të madh, që të vijnë njerëzit pa dallime politike, vetëm të jenë të zotët dhe specialistë”, deklaroi Agolli.

I cilësuar shpesh si patriarku i PS, Agolli vlerëson si pozitiv emërimin e një ekzekutivi të ri dhe një brezi të ri në krye të institucioneve, ashtu sikundër nuk ngurron as t’i japë një këshillë dashamirëse, siç e cilëson ai, qeverisë së re, që shkrimtari zgjedh ta thotë me gjuhën e metaforës.

“Në përgjithësi, unë them që mirë e kanë filluar. Vetëm se do thosha që disa gjëra të mos bëhen përnjëherësh të gjitha, por të merren me radhë, njëra pas tjetrës”, u shpreh Agolli.

Për aq sa qeverisi mori edhe votën e popullit, thotë shkrimtari në vlerësim të drejtimit të ish-kryeministrit Berisha. Në përgjigje të pyetjes, a mund të ishte më shumë për vendin në tetë vitet e shkuara, Agolli veçon një fakt, atë se në drejtimin e vendit në këto 23 vjet pluralizëm nuk ka pasur drejtues, që të veçohen për ndryshime madhore në vend, duke e shpjeguar se, së pari, kjo vjen edhe si pasojë e një mentaliteti të një shoqërie, që ka ende fenomen gjakmarrjen. A mund të jetë kryeministri i ri Edi Rama, një drejtues që do të bëjë dallimin?

“Po, mund të jetë, se si drejtues administrativ ai është i zoti. Ndonjëri mund ta quajë si, një person që nuk pyet shumë kolegët e tij, por deri më tani, unë nuk vërej gjëra të tilla. Bëri punë shumë të mira, i ndryshoi faqen Tiranës”, theksoi Dritëro Agolli.

Mes miqsh, që nuk mungojnë kurrë në shtëpinë e shkrimtarit, telefonin që nuk rresht së rëni, bisedave plot humor, në ditën e lindjes edhe simboli i kombit shqiptar, shqiponja që pak ditë më parë zbriti në stadiumin “Qemal Stafa”, si një përshëndetje e veçantë për figurën simbol të letrave shqipe dhe personalitetin Dritëro Agolli.

82-vjetori i lindjes e gjen shkrimtarin e madh, Dritëro Agolli, të nderuar me çmimin e letërsisë “Carlo Lievi” në Itali, me të cilin ai u vlerësua vetëm pak ditë më parë në shtetin fqinj.

“Unë kam marrë edhe cmime të tjera në rini, në vendin tonë dhe jashtë, por ky në pleqëri më kujtoi që unë ende po jetoj”, tha Agolli, në përfundim të intervistës për Top Channel.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA