
Komisioni Europian vlerëson njëfarë përparimi në media, me miratimin e ligjit për median audiovizuale në Mars 2013.
Por, në raportin e progresit përcaktohet se ky ligj, i cili synonte të përputhte kuadrin ligjor vendas me legjislacionin europian, dështoi në dhënien e një proçedurë për përzgjedhjen e anëtarëve të autoritetit rregullator dhe nuk garanton pavarësinë e anëtarëve të Autoritetit të Medias Audiovizuale.
“Në fushën e lirisë së shprehjes, ligji për mediat audiovizuale u miratua në Mars, duke përmirësuar në mënyrë thelbësore kuadrin ligjor për mediat audiovizuale në Shqipëri. Ligji dështoi të ofrojë një procedurë të përzgjedhjes së organeve drejtuese të rregullatorit dhe transmetuesit publik, e cila do të garantonte pavarësinë e tyre.
Procedura e emërimit të anëtarëve të autoritetit rregullator për mediat- AMA, Autoriteti i Medias Audiovizuale, i parashikuar me ligj, nuk garanton plotësisht pavarësinë e tyre. Zbatimi i strategjisë për transmetimin dixhital ka ngecur për shkak të një rasti gjyqsor të ngritur nga operatorët transmetues. Përpjekjet duhen bërë për zbatimin në kohë të strategjisë për transmetimin dixhital, e caktuar për t’u plotësuar në Qershor 2015. Përpjekje të mëtejshme kërkohen për të liruar frekuencat e përdorura ilegalisht. AMA-s ende i mungon kapaciteti i mjaftueshëm dhe mbeten shqetësimet mbi paravarësinë e saj. Pavarësia editoriale e shërbimit të transmetuesit publik dhe sistemi i mbledhjes së tarifave nuk janë përmirësuar”, thuhet në raport.
Komisioni thekson rëndësinë për zbatimin e të drejtës së punës ndaj gazetarëve dhe mbulimin e tyre me kontrata të rregullta pune. Sipas raportit, media vijon të përdoret për interesa ekonomike dhe politike.
“Janë raportuar disa raste të dhunës ndaj gazetarëve. Media vazhdon të përdoret si mjet për të promovuar interesat ekonomike private e politike. Reklama publike (shtetërore) nuk është ende e rregulluar në mënyrë që të garantojë transparencë dhe mosdiskriminim në dhënien e fondeve. Mungesa e transparencës në financimin e medias mbetet një sfidë e rëndësishme. Përpjekje të mëtejshme kërkohen, veçanërisht nga Inspektoriati Shtetëror i Punës, për të siguruar zbatimin e duhur të të drejtave të punës, e sidomos të drejtën e punonjësve të medias për t’u mbuluar me një kontratë të rregullt pune. Mbrojtja nga shkarkimet arbitrare është kyçe për parandalimin e vetëcensurimit. Kapaciteti i sindikatave të gazetarëve mbetet i dobët. Duhen forcuar standardet e etikës dhe profesionalizmit në gazetari. Duhen trajtuar shqetësimet e ruajtjes së privatësisë gjatë raportimit, përfshirë në rastet e të miturve dhe të grupeve të pambrojtura. Përpjekje të mëtejshme nevojiten për të siguruar se ankesat e lexuesit/shikuesit janë trajtuar në mënyrë të paanshme dhe efektive”, thuhet më tej.
Pasi ka vëzhguar moratoriumin mbi përdorimin e padive për shpifjen nga zyrtarët e Qeverisë, Komisioni konkludon se “duhen përpjekje të mëtejshme për të siguruar zbatimin e duhur të amendamenteve mbi shpifjen dhe udhëzimet mbi përcaktimin e dëmeve në një nivel të arsyeshëm, në veçanti përmes trajnimit të gjyqësorit.
Pergatiti ARTA TOZAJ
Top Channel