Bode: Nuk ka borxh të fshehur

09/10/2013 00:00

Ridvan Bode, ish-ministri që menaxhoi për 8 vjet financat e qeverisë “Berisha”, deklaroi se demokratët nuk lanë borxh publik të fshehur për qeverinë “Rama”. Ai akuzon kryeministrin se do të rrisë borxhin deri në fund të vitit, duke përkeqësuar sipas tij edhe situatën ekonomike.

“Rënia e përvitshme e nivelit të kostos së borxhit publik të Shqipërisë manifeston punën e bërë nga qeveria për të përmirësuar shërbimin e tij dhe për t’i dhënë qëndrueshmëri afatmesme dhe afatgjatë borxhit, zëvendësimin e pjesshëm të borxhit të brendshëm me borxh të huaj, duke ruajtur në perspektivë kapacitetin e ekonomisë shqiptare për të bërë pagesa të interesave të borxhit principale në valutë.

Siç e shikoni, deri në vitin 2005 nuk ka pasur sufiçit, nuk ka pasur diferencë pozitive në balancën primare të buxhetit. Nga viti 2005 deri në vitin 2012, buxheti në vijimësi rezulton me një balancë primare, çka do të thotë se huamarrja është bërë për të financuar 100% investimet publike në ekonominë shqiptare. Qysh në vitin e parë, apo muajt e parë të qeverisjes nga e majta, rikthehemi edhe njëherë në defiçitin primar.

Ndryshimet që kanë bërë në buxhetin e këtij viti, të prezantuara tashmë në Kuvendin e Shqipërisë, bëjnë fjalë që në fund të vitit 2013 ekonomia shqiptare do të ketë një defiçit primar prej 1%, që do të thotë se 100 milionë dollarë do të merren hua për të paguar shpenzimet qeveritare për shkak të mungesës së të ardhurave, apo për shkak të rritjes dhe fryrjes së shpenzimeve qeveritare”, deklaroi Bode.

Në fund të muajit të kaluar Bode deklaroi se Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe qeveria shqiptare ishin përfshirë në një kompromis të heshtur, për të transmetuar në publik situatën e një krize, sipas tij jo reale.

“Për herë të parë, ministri i Financave dhe shefi i Misionit të Fondit janë në një unison, sepse secili kërkon të nxjerrë përfitimet maksimale të kësaj situate. Fondi është i interesuar për një marrëveshje dhe për fat të keq, ministri i Financve deklaroi një ditë më parë, se është i interesuar ta rrisë borxhin publik për ta çuar në parametrat 70 apo 73 per qind”, tha Bode.

Top Channel