Sekuestrohet thesari i veprave të artit

08/10/2013 22:40

Gjatë orëve të mbrëmjes, në Tiranë është zhvilluar një operacion antitrafik, që zyrtarët e policisë e cilësojnë të pazakonshëm.

Burimet tregojnë se është kapur një thesar i vërtetë i veprave të vjedhura të artit. Një numër i madh ikonash dhe veprash murale mbaheshin në 3 banesa, në Kamëz, Bathore dhe Tiranë.

Operacioni u finalizua pas një pune të sektorit antitrafik në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Njoftohet arrestimi i dy personave në lidhje me ngjarjen, ndërsa vlera e veprave të artit llogaritet në disa qindra mijëra euro.

Policia thotë se ka goditur kështu një rrjet të trafikut ndërkombëtar të grabitjes dhe shitjes së veprave të artit, ndërsa vijon hetimet për implikimin e të tjerë personave.

Menjëherë pasi u informua për këtë operacion, kryeministri Edi Rama shkoi në zyrën e Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për t’u njohur me detajet. Në takim ka qenë edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, si edhe drejtori i Policisë së Tiranës, Bernard Çaushaj.

Kryeministri përgëzoi të gjithë efektivët e policisë të përfshira në hetimin dhe finalizimin e këtij operacioni, ndërkohë që më shumë detaje do të mësohen në orët në vijim, ndërsa paraditen e së mërkurës policia do të dalë me një deklaratë zyrtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA