Dajti: Prokuroria po falsifikon faktet

07/10/2013 00:00

Dritan Dajti, i akuzuari për vrasjen e katër policëve në korrik të vitit
2009, vijon “lojën” me drejtësinë. Në seancën e radhës, të mëngjesit të
së hënës, ai ka deklaruar se policët ishin të veshur civilë dhe nuk
kishin shenja dalluese që mund të tregonin se ata ishin efektivë.

“Më akuzoni për vrasjen e 4 policëve, por ata ishin me veshje civile dhe kjo gjë është e faktuar. Viktimat Altin Dizdari, Fatos Xhani, Kastriot Feskaj dhe Sajmir Duçkollari ishin me veshje civile.  Prokuroria po falsifikon faktet”, është shprehur Dajti.

Më pas ai është larguar nga salla e gjyqit, duke shtuar se do ta vijojë dëshminë në seancën e radhës. Në këto kushte gjykata e Krimeve të Rënda, vendosi shtyrjen e seancës.

Procesi gjyqësor ndaj Dritan Dajtit po zvarritet pafund, për shkak se drejtësia nuk ka gjetur ende një avokat që të marrë përsipër mbrojtjen e këtij të pandehuri. Të gjithë avokatët kryesisht, që gjykata cakton në këtë proces, refuzojnë të marrin përsipër mbrojtjen e interesave të të dyshuarit si autor i masakrës, duke nxjerrë justifikime nga më të ndryshmet.

Dajti akuzohet se ekzekutoi më 7 gusht 2009, pranë pistës “Iliria” në Durrës, katër oficerë policie, të cilët tentuan t’i vinin prangat pas shtatë vitesh arratie.

Top Channel