Rama: Do të likuidojmë të gjitha borxhet

04/10/2013 00:00

Kryeministri Edi Rama u zotua para sipërmarrësve, se Qeveria do të
shlyejë deri në qindrakën e fundit detyrimet e prapambetura që ka ndaj
biznesit.

“Këto para, të gjitha në ekonomi, një orë e më parë, sepse ekonomia është një, sepse ne nuk kemi ndërmend të krenohemi duke prerë shirita rrugësh të shtruara me gjakun e kompanive dhe që nuk mbarojnë. Ne nuk kemi ndërmend të krenohemi me inaugurime të bëra për punë, pas të cilave nuk ka buxhet. Ne nuk kemi ndërmend të krenohemi për suksese imagjinare, që janë në fakt tragjedia e njerëzve të këtij vendi që merren me biznes. Nëqoftëse ne nuk shtrojmë dot rrugë, nuk do të shtrojmë rrugë, deri në momentin që do të shlyejmë të gjitha borxhet një nga një”, tha Rama.

Ministri i Financave Shkëlqim Cani tha, se Qeveria ka identifikuar edhe burimin prej nga do të marrë fondet e nevojshme për shlyerjen e këtyre borxheve, të cilat FMN-ja i vlerëson 560 milionë dollarë.

“Shlyerjen e pagesave të vonuara që kemi ndaj biznesit, ne po mundohemi të mos e shlyejmë nëpërmjet sistemit financiar ose huamarrjes në tregun e brendshëm. Ne po mundohemi dhe jemi në bisedime për ta realizuar në komunitetin ndërkombëtar, kryesisht me FMN-në, BB-në dhe institucione të tjera”, tha Cani.

Për Qeverinë shlyerja e borxheve të prapambetura, përveçse kritike për të mos lejuar rrënimin e vendit është dhe parakushti që do t’i hapë rrugë një kapitulli të ri marrëdhëniesh mes Qeverisë dhe biznesit.

“Sipërmarrja do të ulet përballë Qeverisë, për të gjitha çështjet që lidhen me të përditshmen e vet, për të gjitha shqetësimet që vijnë nga bota e sipërmarrjes në raport me sjelljen në dogana, me sjelljen në tatime, me arbitraritetet dhe ne nuk do të kemi fare ngurrim që rast pas rasti, bazuar në këtë bashkëpunim, të godasim dhe të shporrim nga vatha e shtetit, nga vatha e tatimeve, nga vatha e doganave, çdo individ që në emër të shtetit shqiptar guxon të cënojë cilindo sipërmarrës”, tha Rama.

Arben Ahmetaj, ministri përgjegjës për zhvillimin ekonomik tha se është rikthimi i besimit të sipërmarrjes, kollona ku Qeveria ka mbështetur ringritjen e ekonomisë së vendit.

“Jemi të bindur që në krye të dy vjetëve, pasi të kemi kaluar një periudhë jashtëzakonisht shumë të përgjegjeshme, jashtëzakonisht shumë të ngarkuar dhe të vështirë, për shkak të asaj që gjetëm, ne do të jemi në gjendje të rikthejmë rritjen ekonomike cilësore, afatgjatë, në nivele 4 per qind e sipër”, tha Ahmetaj.

Rishikimi i konçesioneve
Rama: Po verifikojmë ato para zgjedhjeve. PD: Hakmarrje politike

Duke ju përgjigjur interesit të sipërmarrëvese në lidhje me koncesionet, Kryeministri Rama bëri të ditur se pas atyre të 23 qershorit, Qeveria po verifikon një tjetër kategori privatizimesh.

“Nga dje kemi filluar verifikimet e vendimeve gjatë fushatës elektorale. Janë kaluar pa asnjë transparencë, pa i thënë askujt prej jush a keni ju ndonjë ofertë tek persona privatë, toka shtetërore, mbi të cilat nuk ka patur as pretendime, as njohje nga pronarë tek individë të lidhur me pushtetin. T’i lemë ne këto tani? Qindra e qindra hektarë dhe ndërkohë vazhdojnë dalin të tjera…”, tha Rama.

Por Partia Demokratike, përmes deputetit Eduard Halimi i konsideron këto veprime të qeverisë si hakmarrje politike të kryeministrit Rama.

“Shteti shqiptar, përmes konçesioneve të qeverisë, ka fituar një të drejtë ligjore e kushtetuese, të cilat nuk mund të injorohen e të shkelen, pasi në të kundërt dhunohen Kushtetuta dhe ligjet. Liria ekonomike është trajtuar pesë herë në 10 vitet e fundit nga Gjykata Kushtetuese. Siguria ekonomike është një element thelbësor i shtetit të së drejtës”, ka deklaruar Halimi. 

Top Channel