
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave deklaroi se ka zbuluar një rast flagrant maksikontrabante të naftës në Rrethin e Lezhës.
Përmes një njoftimi për shtyp, doganat bëjnë të ditur se strukturat e Specializuara te Drejtorise se Pergjithshme zbuluan hedhjen për konsum në mënyrë të paligjshme nga kompania “Ada Petrol” të 4 400 ton karburant gasoil.
Kjo sasi karburanti ka qenë më parë e plumbosur nga autoritetet doganore në depozitat e Shengjinit, në pronësi dhe përgjegjësi të “Ada Petrol”, kompani nen zoterim te vellait te ish-deputetit Gjok Uldedaj.
Por, kompania e ka hedhur atë në treg, sipas doganave në mënyrë të paligjshme, duke i shkaktuar buxhetit te shtetit një dëm prej rreth 4 milionë dollarësh.
Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali ka pezulluar menjëherë nga detyra kryetarin e Doganes së Lezhes dhe ka firmosur kallëzimin ndaj kompanisë “Ada Petrol” për veprën penale të kontrabandës me mallra që paguajnë akcizë.
Paralelisht, doganat bëjnë të ditur se po vazhdojnë hetimet për nxjerrjen e pergjegjësive të mundeshme administrative apo penale të personelit doganor.
Kompania “Ada Petrol”, e kontaktuar nga “Top Channel” mohon akuzat për kontrabandë. Drejtuesit e saj thonë se karburanti i ndodhur në depozitë është dëmtuar nga persona të panjohur dhe për këtë kompania “Ada Petrol” ka bërë edhe kallëzimin përkatës në prokurori.
Gjatë tre muajve te fundit, pas zgjedhjeve te qershorit të ardhurat në buxhetin e shtetit pësuan rënie të fortë, veçanërisht ato nga tatimi mbi vlerën e shtuar dhe akcizën.
“Ada Petrol”: Deklarata e doganave e pavërtetë, do të bëjmë kallzim
Ndërkohë, në një deklaratë për mediat, shoqëria tregtare shqiptaro-turke “Ada Petrol” thotë se deklarata e Drejtorisë së Përgjithshme të doganave është e pavërtetë.
“E vërteta e ligjshme është se në datën 1 tetor, nga shërbimet e rojës është konstatuar shkatërrim i pronës në depozitat e kësaj shoqërie”, thuhet në deklaraten e “Ada Petrol”.
Sipas njoftimit, u lajmërua policia si edhe Drejtoria e Doganave që nafta ka dalë nga depot.
Shoqëria thotë se ka bërë kallzim penal për shkatërrim të prones me dashje dhe se në asnjë rast nuk bëhet fjalë për “Kontrabandë”, siç pretendohet nga Drejtoria e Përgjithëshme e Doganave.
“Ada Petrol” thotë se për këto deklarata dezinformuese do i drejtohet organeve gjyqësore.
Top Channel