Policia e Gjirokastrës sekuestroi 60 kilogramë hashah në automjetin e një shtetasi kosovar dhe prangosi këtë të fundit.
Në njoftimin e policisë thuhet se lënda narkotike e ndarë në 46 pako u gjet e fshehur në sediljen e automjetit me targa Kosove të drejtuar nga shtetasi Arsen Gashi nga Skënderaj.
Gjatë operacionit për ndalimin e tij, Gashi u përpoq t’i largohej forcave të policisë. Mësohet se sasia e drogës ishte blerë në Lazarat dhe si destinacion kishte tregun italian.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur nëse bëhet fjalë për një rast të izoluar apo për një rrjet trafikimi të kanabisit lazaratas.
Sekuestrohen 154 kg marijuanë, pranga grekut
Sekuestrohen 154 kilogramë marijuanë në kufirin shqiptaro-grek. Burime nga policia bëjnë të ditur se lënda narkotike u gjet në makinën e një 22-vjeçari grek, në Sajadhë të Igumenicës.
Sipas policisë, droga ishte ndarë në 137 pako dhe ishte transportuar me krahë nga fshati Çiflik i Sarandës deri në kufi, ku më pas ishte ngarkuar në makinën e 22-vjeçarit nga Megara e Greqisë, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.
Policia ka sekuestruar lëndën narkotike dhe makinën e të riut, ndërsa po punon për kapjen e tij dhe për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet trafiku.
Top Channel