Doganat “ngritën” traun

01/10/2013 00:00

Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se doganat dhe tatimet u shthurën në tre muajt e fundit pas zgjedhjeve duke e zhytur buxhetin në krizë të thellë.

Sipas Ministrisë së Financave, në gusht të dy agjencitë e të ardhurave publike mblodhën në arkën e shtetit 20.2 përqind më pak Tatim mbi Vlerën e Shtuar se sa gushti i vitit të kaluar, ndërsa për periudhën qershor-korrik gusht rënia është 12.5 përqind krahasuar me një vit më parë ose 40 milionë dollarë më pak.

Ky është një rekord negativ i pashënuar ndonjëherë më parë. Por tatimi mbi vlerën e shtuar nuk është treguesi i vetëm me rënie të fortë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me akcizën, por edhe me Tatimin mbi Fitimin, i cili ra me 53 përqind.

I gjithë viti 2013 ka qenë negativ për ecurinë e të ardhurave që mblidhen nga tatimet dhe doganat. Por shifrat tregojnë se pas qershorit situata është përkeqësuar me ritme dramatike.

Sipas Ministrisë së Financave, nëse në 5 muajt e parë të vitit të marrë së bashku tatimet të ardhurat ishin 3 miliardë lekë më pak se viti i kaluar. Por vetëm në tre muajt pas zgjedhjeve qershor-korrik gusht rënia ishte dy herë më e lartë ose 6 miliardë lekë më pak se e njëta periudhë e 2012-ës.

Asnjëherë më parë të ardhurat në buxhet nuk kanë rënë me ritme kaq të forta, të cilat nuk mund të shpjegohen, as me krizën ekonomike. Një situatë që hedh dyshime të forta se menëjehërë pas zgjedhjeve tatimet dhe doganat në rastin më të mirë nuk kanë zbatuar ligjin, ndërsa në rastin më të keq kanë ngritur traun për të marrë përfitimet e fundit të pushtetit dhe vetëm në këto tre muaj janë fshirë 60 milionë dollarë taksa.

Top Channel