Mbipesha, jeta jo aktive, ushqimet me shumë kalori dhe mungesa e aktiviteteve fizike ka shtuar ndjeshëm vitet e fundit numrin e të sëmurëve me zemër, ku vdekshmëria prej saj mbetet dhe në Shqipëri si në gjithë botën më e larta, rreth 40 përqind e totalit të vdekshmërisë.
Shefi i hemodinamikës në QSUT, Artan Goda, në një prononcim për mediat në ditën botërore për mbrojtjen nga sëmundja e zemrës, ka deklaruar se vitet e fundit listës së pacientëve me zemër i janë shtuar dhe të rinjtë.
“Sëmundjet e zemrës nisnin të preknik dikur 40 vjeç, ndërsa sot kemi raste me 25-26 vjeç sepse është rritur niveli i stresit dhe deformuar mënyra jetesës e ushqyerjes, në dukje për më mirë, por më keq përsa i përket shëndetit”, deklaroi zoti Goda.
Kardiologu i njohur e ka cilësuar të rrezikshme tendencën e të rinjve të sotëm për të përdorur dieta të pakontrolluara për uljen e peshës, gjë e cila ka ndikuar dhe në sëmundshmërinë e zemrës.
“Në përgjithësi, lufta duhet bërë që mbipesha mos vijë ndërsa përpjekjet për rënien janë të vështira dhe ndonjëherë të rrezikshme. Ka shumë dieta për rënie, disa të arsyeshme, por shumica janë të dëmshme”, deklaroi kardiologu.
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, ka premtuar se qeveria e re do të nisë zbatimin e programeve kombëtare për parandalimin dhe diagnostikimin në kohë të sëmundshmërisë së zemrës.
“Ne do të fillojmë një program kombëtar të shtrirë në vite për të patur kontrolle minimale bazë shëndetësore falas për grupmoshat më të ekspozuara ndaj rrezikut të sëmundjeve që lidhen me zemrën”, premtoi ministri Beqja.
Sipas mjekëve specialistë, faktorët kryesorë që shkaktojnë sëmundjet e zemrës janë hipertensioni, diabeti, yndyrnat e tepërta në gjak dhe duhani.
Një studim i fundit i kryer në popullatën e Tiranës ka treguar se rreth 40 përqind e popullatës është e sëmurë nga hipertensioni.
Në Tiranë janë ngritur disa çadra ku mjekë të familjes, në bashkëpunim me kardiologët kanë kryer depistime tek qytetarët për të parë incidencën e sëmundjes së zemrës në popullatë, siç janë analizat e glicemisë e kolesterolit që lidhen me përqindjen e sheqerit apo yndyrës në gjak.
Top Channel