
Senati italian ka shtyre ratifikimin e marrëveshjes trepaleshe
Shqiperi-Itali-Greqi për projektin Trans Adriatik, gazsjellesi që
transporton gazin azer në Europe.
Lajmi është bërë publik nga agjencia e lajmeve Reuters. Sipas saj, vendimi është marrë pasi disa nga senatorët kanë kërkuar informacione mbi zhvillimet e fundit në projekt, posaçërisht ndryshimin e pronësisë që ka ndodhur gjatë javëve të fundit, por edhe kontratat e parablerjes së gazit të nënshkruara para pak ditë më parë mes drejtuesve të fushës së Shah Denizit dhe 9 kompanive europiane.
Ky ishte motivacioni zyrtar por problemet e projektit në Itali duken më të thella. Italia është vendi i fundit që ende nuk e ka miratuar mnarrëveshjen trepalëshe. Kohët e fundit politikanë dhe drejtues lokal të fqinjit tonë perëndimor janë shprehur fuqishëm kundër gazsjellësit.
Pak ditë më parë Nichi Vendola, një nga figurat kryesore të së majtës në Itali, njëkohësisht Presidenti i rajonit të Puljas deklaroi publikisht se kryeministri Leta nuk mund të mbyllë veshët para kundërshtimeve që vijnë nga qytetarët e disa rajoneve për projektin TAP.
Ndërkohë “La Gazzetta del Mezzogiorno” bën të ditur se kryetari i Bashkisë së Melendunjos, një rajon i Leces, i ka dërguar këtë të enjte një letër Vendolas, ku i shpreh qartazi pozicionin kundër projektit dhe i kërkon atij që si president i rajonit të mos japë lejet e nevojshme për ndërtimin e gazsjellësit. TAP është gazsjellësi i përzgjedhur për të transportuar gazin azer në Europë,një investim mbi 40 miliardë euro, që kalon në Greqi dhe përmes Shqipërisë përfundon në Itali.
Top Channel