
Biznesi i kërkon qeverisë së re që të rikthejë aministinë fiskale, por këtë herë duke hartuar një ligj më të plotë, ndryshe nga tentativa e dështuar e ish-qeverisë së demokratëve.
Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë, deklaroi: “Që ta nisim si të barabartë duhet ligji i amnistisë fiskale, një ligj i plotë që do të zerojë çdo detyrim financiar për t’i dhënë mundësi biznesit të formalizohet.”
Grupimet e bizneset kanë kërkuar nga qeveria e re që të përcaktojë afatet konkrete për realizimin e premtimeve që i dha sipërmarrjes në fushatën elektorale: “Është e rëndësishme që të kemi një strategji të qartë për sistemin e kredive të këqia dhe të bashkëpunohet për krijimin e Këshillit Kombëtar Ekonomik.”
Por, veç mbajtjes së premtimeve, shoqatat e biznesit i kërkojnë qeverisë edhe që të mos nxitohet me ndalimin e importit të mbetjeve për qëllime riciklimi: “Jam i sigurtë që qeveria do e mirëpresë kërkesën tonë për debat. Të dyja palët duhet të paraqesim argumentat tona pasi i shërbejnë të gjithë qytetarëve shqiptarë.”
Në deklaratën për mediat, bizneset kanë ripërsëritur edhe një herë qëndrimin për mosaplikimin masiv të taksës së sheshtë, por vendosjen e saj vetëm tek monopolet dhe kompanitë që shfrytëzojnë asete publike.
Top Channel