Një shpërthim i fuqishëm me eksploziv tronditi mbrëmjen e së hënës banorët pranë zonës së liqenit artificial në kryeqytet.
Ngjarja ndodhi pranë parkingut-lavazh, në hyrje të digës së liqenit ku dy makina u dëmtuan si pasojë e shpërthimit të një sasie tritoli, por fatmiresisht pa shkaktuar të lënduar.
Automjeti të cili i ishte vënë tritoli, nje BMW X6, me targa AA888DY është në pronësi të një biznesmeni ndërtimi. Kurse automjeti i dytë i dëmtuar është një autoveturë, tip Audi, në pronësi të një dentisti, i parkuar në të njëjtin vend.
Në vendngjaje kanë mbërritur forca të shumta policie ndërsa në orën 21:30 kur ndodhi ngjarja, i pranishëm ishte edhe Drejtori i Policisë së Tiranës, Bernard Caushaj. Sipas burimeve të policisë, personat që kanë në pronësi automjetet e dëmtuara nga shpërthimi i tritolit nuk kanë konflikte të hapura. Nuk dihet ende cili mund të jetë motivi i shpërthimit por një nga pistat në drejtim të së cilës po heton policia është një konflikt pronësie i pronarit të parkingut. Pak orë pas shpërthimit forcat e policisë kanë shoqëruar disa persona.
Në javët e fundit në vend janë verifikuar një seri atentatesh me eksploziv të kryera në dëm të funksionarëve të shtetit dhe jo vetëm.
Një javë më parë një antentat me eksploziv u krye në qytetin e Shkodrës. Shënjestra ishte punonjesi i policisë, Kujtim Çardaku, i cili mori plagë të rënda.
Tre ditë para kësaj ngjarjeje një sasi eksplozivi shpërtheu në veturën personale që përdorej nga shefi i krimeve pranë Komisiariait numër 1 të policisë së Tiranës, Artur Hyka.
Ndërsa në fillim të muajit një ndërtues në Tiranë u kërcënua po ashtu përmes shpërthimit të eksplozivit në makinë. Biznesmeni Armando Cekaj sapo tentoi të lëvizte automjetin e tij të parkuar pranë rrugës “Siri Kodra” u përball me shpërthimiin nga i cili fatmirësisht nuk pati të lënduar.
Ndërsa në fund të muajit të kaluar, një makinë u hodh në erë në Vlorë dhe vetëm fati bëri që drejtuesi i saj të shpëtonte vetëm me plagë jo serioze.
Top Channel