
Roma zyrtare duket se do të “thyejë” akullin diplomatik me Shqipërinë,
duke dhënë një sinjal të fuqishëm se po kthehen zhvillimet e para vitit
2005. Shefja e diplomacisë italiane, Emma Bonino, do të jetë
personaliteti më i lartë europian që do të vizitojë zyrtarisht Tiranën.
Kjo vizitë është konfirmuar nga Ministria e Jashtme shqiptare, e cila ka lëshuar një njoftim në lidhje me takimin e shefit të diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati dhe ambasadorit të Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani. Në njoftimin e MPJ-së theksohet se “ministri Bushati dhe ambasadori Gaiani diskutuan mbi vizitën në tetor të ministres së Jashtme italiane, znj. Emma Bonino, si homologia e parë që do të vizitojë Tiranën pas zgjedhjeve të 23 qershorit.
Dy bashkëbiseduesit theksuan dhe nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik në rang kombëtar dhe lokal mes dy vendeve”. Data e saktë e vizitës zyrtare të ministres së Jashtme italiane është diskutuar parimisht dhe pritet që detajet teknike të vendosen në ditët e ardhshme.
Por pikërisht përcaktimi i kësaj vizite si e para “pas zgjedhjeve të 23 qershorit” tregon për një target diplomatik të përcaktuar qartë si nga Roma ashtu dhe Tirana zyrtare. Italia do të mbetet partneri kryesor i Shqipërisë në rajon, duke rikthyer kështu situatën e “erës Prodi” dhe të qeverisë “Berluskoni, 2001-2006”, periudha kur Italia ka pasur “patronatin” dhe prioritetin diplomatik në lidhje me Shqipërinë.
Në muajin tetor, në Tiranë pritet të mbërrijnë në vizitë zyrtare zv.kryeministri dhe shefi i diplomacisë greke, Evangelos Venizelos, si dhe ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu.
Por ende nuk është përcaktuar koha e këtyre dy vizitave, ndërkohë që datat se kur do të zhvillohen ato kanë rëndësi për të përcaktuar prioritetet e dy kancelarive të rëndësishme që tashmë janë ridimensionuar me ardhjen e Edi Ramës në postin e Kryeministrit të Shqipërisë.
Ka shumë pritshmëri në lidhje me vizitën e zonjës Emma Bonino në Tiranë, se cili do të jetë pozicioni i Romës në kuadër të marrëdhënieve me Shqipërinë, në një kohë kur Italia nuk e ka atë pozicion të fuqishëm që e mbante para disa vitesh. Vendi ynë fqinj po vuan prej kohësh një krizë ekonomike dhe tashmë pas vendimit të gjykatës për të dënuar ish-kryeministrin Berluskoni, qeveria aktuale e koalicionit e drejtuar nga kryeministri Enrico Letta është në rrezik dhe prej ditësh po flitet për zgjedhje të parakohshme. Megjithatë, Italia mbetet një prej vendeve më të rëndësishme të Eurozonës dhe përbën një fuqi industriale e cila ka një “kujdestari permanente” mbi Shqipërinë në kuadrin e Bashkimit Europian. Mesazhet e ministres Bonino do të tregojnë dhe kahjen se ku do të shkojnë këto marrëdhënie. Nga ana e qeveritarëve shqiptarë po shtyhet fuqishëm që investimet italiane të zhvendosen në Shqipëri nga vendet e tjera të Ballkanit, si Rumania apo Bullgaria, duke premtuar lehtësi fiskale dhe treg më të lirë pune. Investimet italiane janë të shpërndara kryesisht në fushën e fasonerisë, pra punimeve të konfeksioneve dhe këpucëve dhe shërbimeve “call center”.
Top Channel