
Qeveria e shkeli kufirin vjetor të borxhit që në muajin gusht. Ministria
e Financave raportoi pak ditë më parë se në për tetëmujorin defiçiti
buxhetor arriti në 54.4 miliardë lekë.
Formalisht kjo shifër është 6.5 miliardë lekë më e vogël se kufiri i borxhit që Parlamenti ka autorizuar Qeverinë të marrë për gjithë vitin. Por brenda saj nuk përfshihen faturat e papaguara.
Top Channel ka mësuar se në gusht shuma e detyrimeve, të njohura nga thesari por të pashlyera arriti në rreth 10 miliardë lekë. Kjo do të thotë se në 31 gusht, kufiri ligjor i deficitit realisht ishte tejkaluar me mbi 3 miliardë lekë.
Muajin e ardhshëm Qeveria e re pritet të rishikojë buxhetin, ku me shumë gjasa do të detyrohet të rrisë kufrin e defiçitit buxhetor. Kjo do të thotë se borxhi publik i vendit, të cilin Qeveria e ka parashikuar të shkojë në 63.8 për qind e Prodhimit Kombëtar në fund të vitit do të kërcejë mbi 64 për qind.
Por edhe kjo është shifra formale. Realisht detyrimet e qeverisë janë shumë më të mëdha. Kohët e fundit autoritetet po deklarojnë në publik se përtej shifrës zyrtare janë dhe 40 miliardë lekë të tjera borxh i keq që Qeveria ka ndaj kompanive private.
Kjo e çon shifrën reale të borxhit në rreth 68 për qind të Prodhimit Kombëtar. Që nga vitit 2007, borxhi publik i vendit është rritur me rreth 15 për qind e Prodhimit Kombëtar nëse përfshihen detyrimet e fshehura dhe vazhdon të rritet ende. Mesatarisht 2.5 pikë përqindje çdo vit.
Qeveria e re është angazhuar të fillojë uljen e borxhit në vitin e dytë të mandatit. Por nëse rritja ekonomike nuk do i rikthet ritmeve të larta, konsolidimi i financave do të kërkojë masa të dhimbshme, shkurtimin e shpenzimeve ose rritjen e taksave. Në të dy rastet barra do te bjerë mbi qytetarët.
Top Channel