Thellohet kriza financiare

18/09/2013 00:00

Kriza financiare e Qeverisë vazhdon të thellohet me ritme të shpejta. Të
dhënat e fundit zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në muajin
gusht Qeveria mblodhi nga taksat 35 milionë dollarë më pak se gushti i
vitit të kaluar.

Rënia është mbi 12 për qind. Shifrat tregojnë se krahasuar me planin të ardhurat gjatë muajitn gusht ishin 48 milionë dollarë më pak, ndërsa si tetëmujor Qeverisë i mungojnë 163 milionë dollarë nga shuma që kishte parashikuar të mblidhte përmes taksave.

Të dhënat tregojnë se Qeveria nuk ka arritur të mbulojë këtë rënie të fortë të të ardhurave nga taksat duke shkurtuar shpenzimet. Edhe pse ka ndalur çdo investim të ri publik, sërish shpenzimet e tjera të buxhetit kanë vazhduar të rriten duke bërë që deficit buxhetor, të kërcejë në 54 miliardë lekë.

Për katër muajt e mbetur të vitit përfshirë dhe shtatorin, Qeverisë së re i mbeten vetëm 6.5 miliardë lekë hapsirë defiçiti buxhetor 9 herë më pak se sa ai që ka konsumuar në 8 muajt e parë të vitit qeveria e ikur.  Zyrtarisht Qeveria e re ende nuk e ka shpallur se çfarë do të bëjë me buxhetin. Në tetor pritet që ligji financiar i vendit të rishikohet për të rregulluar treguesit që kanë dalë nga kufijtë ligjor.

Por se cila rrugë do të zgjidhet, ajo e shkurtimit të shpenzimeve apo rritja e borxhit kjo mbetet ende për t’u parë. Ajo që shifrat tregojnë është se Qeveria po zhytet gjithmonë e më shumë në krizë financiare dhe treguesit e buxhetit po përkeqësohen me shpejtësi.

Top Channel