Kryeministri i Greqisë, Andonis Samaras, parashikoi që vendi i tij të rikthehet në standartin e jetesës së parakrizës brenda gjashtë viteve të ardhshme.
“Sipas mendimit të shumicës së ekspertëve, nuk do të nevojiten një apo disa dekada, as disa breza, por vetëm gjashtë vite”, deklaroi Samaras në një fjalim.
Prononcimi i kryeministrit ndodhi në Romë, gjatë një takimi me homologun Letta, përpara takimit me zyrtarët e BE-së në Bruksel.
Megjithatë, optimizmi i shprehur nga Samaras nuk ndahet edhe nga shumica e grekëve, ndërsa mësuesit e shkollave marshuan të hënën me mijëra në rrugët e Athinës, Selanikut e qyteteve të tjera të mëdha, për të protestuar ndaj shkurtimeve të mëtejshme në pagë dhe pozicione pune.
Ekonomia greke është tkurrur me 23% që prej vitit 2008 dhe sipas parashikimeve, pritet që të reduktohet me 4,2% më shumë gjatë 2013-s.
Greqia ka përfituar nga BE, FMN dhe BQE dy paketa ndihmash me vlerë prej 240 miliardë eurosh në tre vitet e fundit, por përballë rënies së lirë të ekonomisë greke, Athina do të ketë nevojë për nëj këst të ri prej 10 miliardësh për të mbushur hendekun e tij buxhetor.
Për të shkurtuar humbjet, Samaras ka firmosur reduktimin e pagës deri në fund të vitit dhe më pas shkurtimin nga puna, të 25 mijë punëtorëve të administratës, një masë që ka ngjallur pakënaqësi dhe protesta të reja masive në Greqi.
Top Channel