
Rritja masive e kredive të këqija, të cilat kanë kapërcyer shifrën mbi
1.2 miliardë dollarë i ka dhënë jetë një tregu të ri, atij të
shitblerjes së tyre.
Burime konfidenciale i thanë Top Channel se bankat shqiptare kanë nisur të shesin dhe blejnë kreditë me probleme, jo vetëm mes tyre por edhe me institucione të tjera financiare jo banka.
Top Channel ka mësuar se në korrik njëra nga bankat shqiptare shiti tek një fond i huaj financiar një kredi problematike me vlerë 3 miliardë lekë ose gati 30 milionë dollarë.
Emri i bankës nuk bëhet i ditur por operacioni ndikoi gjithë shifrat e sistemit sapo banka private e kontabilizoi atë. Sipas të dhënave nga shoqata e bankave, kreditë e këqija ranë menjëherë me 0.5 pikë përqindje nga 24.2 në qershor në 23.8 në korrik. Zyrtarisht transaksioni ende nuk ka marrë fuqi ligjore, pasi duhet më parë të marrë miratimin e bankës së shqipërisë.
Burime i thanë Top Channel se Banka Qendrore ka kërkuar nga banka private kushtet e kontratës para se të vendos. Por sërish ky nuk është rasti i vetëm i tregtimit të borxhit të keq. Muajt e fundit ka patur disa të tillë, madje dhe brenda vendit, ku institucione financiare jo banka po blejnë kredi të këqija nga bankat.
Raste të cilat konfirmojnë një fakt tashmë të sigurtë. Atë se në Shqipëri ka lindur zyrtarisht tregu i borxhit të keq, ku kredite problematike shiten me cmime shumë më të ulëta se vlera e tyre, zakonisht tek institucione financiare jo banka. Nje treg qe ofron norma te medha fitimi, por me risk te larte deri ne ekstrem.
Top Channel