Nëse keqpërdorimi dhe keqqeverisja janë arsye për të privatizuar pasurinë e shtetit, atëherë edhe qeveria e cila nuk po qeveris siç duhet duhet të privatizohet. Kështu ka komentuar kryeparlamentari kosovar Jakup Krasniqi pas mbledhjes së kryesisë gjatë së hënës.

“Çështja e privatizimit të PTK-së është bërë me arsyetimin se po menaxhohet keq dhe ky keqmenaxhim po bëhet nga njerëz të cilët i ka emëruar qeveria. Nëse vërtet vetëm menaxhimi i keq është arsye për t’u shitur pasuria e vendit, atëherë edhe qeverinë që nuk po qeveris mirë ta nxjerrim në tender. Ky ka qenë arsyetimi që kam bërë unë“, deklaroi Krasniqi.

Më tej Krasniqi tha se, nëse grupet parlamentare nuk janë të kënaqura me funksionimin e qeverisë, atëherë do të ishte e udhës që të parashtronin një kërkesë për hapjen e një tenderi për privatizimin e ekzekutivit.

Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit u vendos që seanca e radhës të jetë më 19 shtator, ku dhe do të diskutohet vazhdimi i seancës me tri pika të mbetura, edhe pse pika e parë e mbetur për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të PTK-së, sipas Krasniqit, është e kontestueshme. Pastaj do të jetë seanca tjetër e rregullt.

“Pika kontestuese është çështja e votimit të vendimit të qeverisë për shitjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së. Atë ditë seancën e ka braktisur një pjesë e opozitës. Pozita nuk i ka pasur numrat dhe kjo është e diskutueshme. I diskutueshëm është edhe fakti tjetër se realisht, blerësi po t’i kishte paguar të hollat sipas kontratës, kjo marrëveshje nuk do të vinte në Kuvend”, theksoi Krasniqi.

I pyetur për mosraportimin për pesë raundet e fundit nga ana e kryeministrit Thaçi për procesin e bisedimeve me Serbinë, kryeparlamentari tha se Kuvendi e ka miratuar me mbi 80 vota marrëveshjen si tërësi dhe se nuk është e domosdoshme që të raportohet në Kuvend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA