Vizita e parë zyrtare e kryeministrit të ri shqiptar në Bruksel nisi në Parlamentin Evropian, ku në Komisionin e Punëve të Jashtme Edi Rama shpalosi, përveç programit të qeverisë për integrimin evropian, marrëdhëniet më fqinjët dhe politikën e jashtme, edhe një mënyrë të re komunikimi.
“Falenderim qeverisë së kaluar dhe paraardhësit për përpjekjet dhe arritjet për ta përafruar Shqipërinë me BE-në, por ka ende për të bërë. Besoj se ka një erë të re në politikën shqiptare dhe qëllimi ynë është që t’i japim fund traditës politike të së kaluarës. Përparësitë tona kryesore janë prezantimi dhe miratimi i reformave të nevojshme në shtetin ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, deklaroi Rama.
Eurodeputetët mirëpriten tonin konstruktiv dhe inkurajuan kryeministrin e ri që të vijojë në të ardhmen me dëshmi dhe prova konkrete. Qëndrimet dhe pyetjet kryesore u fokusuan tek bashkëpunimi ndërpartiak, çështjet e nacionalizmit, ato të fqinjësisë dhe në luftën kundër korrupsionit.
“Mendoj se është e ndershme dhe e duhur të falenderohet qeveria e shkuar dhe shpresoj se qeveria e re do të sjellë një dinamikë dhe ndryshime të reja në axhendën e BE-së. Zgjedhjet e 23 qershorit ishin shumë të rëndësishme, një test për Shqipërinë. Guxoj të them se Shqipëria e ka kapërcyer testin dhe shpresoj se zhvillimet në të ardhmen do ta dëshmojnë këtë, nëpërmjet provave dhe dëshmive konkrete”, tha Eduard Kukan, kreu i delegacionit për Ballkanin në PE.
“Gjatë fjalimit tuaj sot ju treguat mençuri dhe shpresoj se do të vijoni dhe të punoni njësoj. Në ndryshim nga tonet e fundit nacionaliste të qeverisë së kaluar, ju po flisni me tjetër ton e nëse vijoni kështu do të jepni një tjetër shembull. Në punën tuaj mos u mbështesni vetëm tek ne, siç ka ndodhur në të kaluarën, pasi nuk jemi mësuesit tuaj, por bëni punën tuaj pa na pyetur shumë”, tha eurodeputetja gjermane Doris Pack duke iu drejtuar kryeministrit shqiptar.
Gjatë debatit me eurodeputetët kryeministri Rama shpjegoi për reformat më të rëndësishme që pritet të ndërrmerren, në bashkëpunim me opozitën dhe shoqërinë civile, si çështja e pronave për shembull, por edhe mbi mardhëniet me Kosovën, Maqedoninë, Greqinë apo Turqinë, duke premtuar vijimin e konstruktivitetit në politikën e jashtme me moton: “zero probleme me fqinjët”.
Rama takon Schultz: Do bëjmë reformat e kërkuara
Presidenti i PE: Të inkurajuar nga qeveria e re
Gjatë vizitës në Parlamentin Europian kryeministri Edi Rama u prit nga presidenti Martin Schultz, i cili bën pjesë në të njëjtën familje politike, e majta europiane.
“Ne jemi takuar shpesh si miq për një kohë shumë të gjatë, prandaj jam shumë i kënaqur t’ju mirëpres në Parlamentin Euorpian në përgjegjësinë e re zyrtare. Ne diskutuam për zhvillimet në Shqipëri, për zhvillimet ekonomike ne vend dhe në Bashkimin Europian, zhvillimet ekonomike në pjesën jugore të Europës që luajnë një rol të stërmadh për situatën në Shqipëri, dhe është roli ynë i përbashkët të përmirësojmë zhvillimet ekonomike. Diskutuam për një prej probemeve më të mëdha në të gjithë Europën por edhe në Shqipëri, dhe kjo është papunësia, veçanërisht tek të rinjtë, dhe masat që duhet të marrim kundër papunësisë”, deklaroi Schulz pas takimit.
“Ka qenë koha e duhur, në ditën e parë të shkollës vendosëm të mos isha atje për të dhënë fjalime për mësuesit dhe njerëzit, por të vijmë këtu si njerëz që duhet të bëjnë detyrat e shtëpisë, për të marrë shpërblimin dhe për të hyrë në BE me të drejta dhe detyrime të njëllojta, jo në një shekull, por brenda një kohe të arsyeshme. Ne do ta bëjmë të mundur ndryshimin, kemi një mandat për ndryshimin dhe do ta nisim me detyrimin tonë për t’i dhënë opozitës atë që na u mohua kur ishim në opozitë e më pas për të ecur me reformat kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe për një të ardhme më të mirë për shqiptarë në jetën e tyre ekonomike dhe sociale”, tha Rama nga ana e tij.
I pyetur nga Top Channel se cilat janë shanset, jo vetëm për statusin kandidat në fund të këtij viti, por edhe për çeljen e negociatave para zgjedhjeve të Parlamentit Europian vitin që vjen, zoti Schulz u përgjigj:
“Stefan Fule me siguri po bën maksimumin për të përshpejtuar hapat e nevojshëm. Është e vështirë të përcaktojme afate të qarta kohore. Unë jam në favor të përshpejtimit, por është e paparashikueshme nëse kjo mund të ndodhë para zgjedhjeve të ardhshme europiane”.
“Jam besimplotë se është qeveria e duhur, e cila bazohet jo vetëm në çfarë duhet të bëjmë për Europën, por çfarë progresi real shënojmë për ta bërë Shqipërinë vend europian me standarte dhe paramatra të plota europiane. Unë nuk e kam ndryshuar mendimin kur isha në opozitë, se Shqipëria nuk është një udhëtim drejt Brukselit, por një udhëtim në vetveten tonë, për të zbuluar të gjitha energjitë pozitive e për ta transformuar Shqipërinë në një vend me standarte europiane”, tha më pas Rama.
Schulz premtoi se do të zhvillojë një vizitë në Shqipëri brenda mandatit të tij që përfundon vitin tjetër. Ndërsa Edi Rama vijon të martën me takime në selinë e NATO-s, me sekretarin e përgjithshëm Anders Fogh Rasmussen, e më pas në Komisionin Europian me presidentin Jose Manuel Barroso, komisionerin për Zgjerim Stefan Fule dhe shefen e Diplomacisë Europiane, Catherine Ashton. Të martën kryeministri shqiptar pritet të zhvillojë edhe një drekë pune me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Pergatiti ARTA TOZAJ
Top Channel