
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se është me rëndësi që
serbët të dalin në numër sa më të madh në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Jahjaga, në një intervistë për Radio Televizionin e Vojvodinës, tha se qytetarët kështu do të kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie demokratike në Kosovë. Ajo shtoi se Ligji për amnistinë u miratua, ndër të tjera, që sa më shumë qytetarë të mund të angazhohen në procesin zgjedhor. Presidentja i bëri thirrje qytetarëve që kanë ikur nga Kosova të kthehen, sepse Kosova është “shtet civil, që nuk bazohet në dallimet kombëtare dhe fetare”.
Jahjaga tha se brezi i ri është urë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se të të rinjtë nuk duhet të bëhen peng i të kaluarës së dhimbshme.
Jahjaga gjithashtu theksoi se Rezoluta 1244 në Kosovë është “e vdekur”, madje që nga viti 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë me të cilën u shprehur vullneti i lirë i qytetarëve.
“Republika e Kosovës është një realitet që njihet nga më shumë se 100 vende të botës. Ne duam të kemi marrëdhënie të mira me Serbinë dhe unë jam e sigurt se marrëveshjet do të çojnë në normalizimin e plotë të marrëdhënieve”,përfundoi Jahjaga.
Top Channel