Kontributi ekonomik i biznesit

15/09/2013 00:00

Ndonëse ka ardhur duke u ulur në 6 vitet e fundit, pesha e biznesit të madh në ekonominë shqiptare mbetet dominuese. Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë, hedhin për herë të parë dritë mbi atë se si është ndarë torta ekonomike e vendit.

Sipas Bankës, në Shqipëri 0.41 për qind e ndërmarrjeve zotërojnë mbi 40.7 për qind të xhiros ekonomike të vendit. E shprehur në numra, kjo do të thotë se 322 kompani më të mëdha në vend mbajnë 40.7 për qind të aktivitetit ekonomik.

Ndërsa 78 mijë e 429 ndërmarrjet e tjera, që grupohen si ndërmarrje të vogla dhe të mesme, ndajnë pjesën tjetër prej 59.3 për qind të totalit të vlerës së shtuar. Shifrat tregojnë se pesha e korporatave në ekonominë shqiptare arriti rekordin historik në vitin 2008, kur ato dhanë mbi 52 për qind të vlerës së shtuar.

Një fenomen ky që mund të jetë e lidhur me investimet publike, ku buxheti adresonte deri në 1 miliardë dollarë në vit për një grusht kompanish, të përfshira në projektet madhore, si rruga Durrës-Kukës apo vepra të tjera publike. Por, edhe pse mbajnë peshën e luanit në tortën ekonomike, 322 korporatat shqiptare nuk japin të njëtin kontribut në punësim.

Sipas të dhënave të detajuara, aktualisht në to punësohen vetëm 29 për qind e totalit të individëve të sektorit privat, ndërsa pjesën dërrmuese të punësimit, me rreth 71 për qind, e mbajnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Top Channel