Humbjet e sektorit bankar në Slloveni në tremujorin e parë të vitit aktual arrijnë në 215 milionë euro, bëri të ditur në ditët e fundit Banka Qendrore sllovene.

Në të njëjtën periudhë të një viti më parë humbjet kishin rezultuar më të ulëta, plot 24 milionë euro më pak.

Një tjetër e dhënë shqetësuese është masa e kredive të këqija, që është rritur nga 7 miliardë në fund të vitit 2012 në 7.5 miliardë deri në fund të qershorit të këtij viti.

Nga analiza e Bankës Qendrore sllovene mund të konstatohet gjithashtu një rënie e fitimeve nga interesat e huave dhe një rritje e kostove, si pasojë e problemeve me kreditë.

Më herët gjatë muajit Zyra e të dhënave statistikore në Lubjanë publikoi disa të dhëna, sipas të cilave në tremujorin e dytë të vitit Sllovenia kishte regjistruar një tkurrje të GDP-së prej 1.7 për qind në bazë vjetore.

Kështu, duke mbledhur të dhënat negative të tremujorit të parë rezultonte se GDP-ja sllovene kishte rënë me 3.2 për qind në gjashtë muajt e parë të 2013-ës. Faktori vendimtar në këtë kontraktim ka qenë rënia e kërkesës së brendshme.

Ndërkohë, shpenzimet e personit fizik ranë me 2 për qind, ndërsa shpenzimet e shtetit me 3.1 për qind. Vetëm trendi i eksportit dukej se po kthehej në anën pozitive: me rritjen e regjistruar në 2 për qind. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA