Gjyqi ndaj dy të dyshuarve për organizimin e një sulmi terrorist mbi një autobuz me turistë hebrenj në qytetin bullgar të Burgasit do të nisë me apo pa të pandehurit në sallën e gjyqit.
Gjashtë shtetas izraelitë, shoferi bullgar dhe një atentator mbetën të vrarë në 2012-n, kur një bombë shpërtheu në trupin e kamikazit që arriti të ngjitej në automjet.
Kryeprokurori Sotir Tsatsarov deklaroi se e njeh vendndodhjen e dy terroristëve të dyshuar si “mendja” pas atij shpërthimi të 18 korrikut në qytetin më të madh bullgar pas kryeqytetit Sofje dhe se do të kërkojë ekstradimin e tyre nga vendet ku fshihen.
Tsatsarov përcaktoi se gjyqi mbi të pandehurit do të mbahet edhe nëse shtetet ku ata ndodhen nuk do të pranojnë kërkesën e ekstradimit.
Të dyshuarit janë identifikuar si shtetasit australian, 32-vjeçari Meliad Farah, i njohur ndryshe si Hussein Hussein dhe 25-vjeçari Hassan El Hajj Hassan, një shtetas kanadez.
Secili prej tyre është me origjinë libaneze dhe kanë jetuar në Liban disa vite përpara sulmit, por tashmë janë zhvendosur në një ose dy shtete që autoritetet nuk kanë dashur t’i bëjnë publikë.
“Bullgaria është e vendosur të dëshmojë se terrorizmi do të përballet me zero tolerancë në truallin tonë”, theksoi kryeprokurori.
Top Channel