Ekonomia kineze është në një moment vendimtar të ristrukturimit të saj, deklaroi të mërkurën kryeministri i vendit, Li Keqiang.
Në Forumin Botëror Ekonomik që po mbahet në qytetin port kinez të Dalianit, Li gjithashtu u zotua në përmirësimin e marrëdhënieve me firmat ndërkombëtare.
Ai theksoi se kompanive shumëkombëshe duhet t’i rezervohet i njëjti trajtim si i atyre firmave shtetërore.
Kryeministri shtoi se Kina është në rrugën e duhur për realizimin e objektivit të rritjes prej 7,5% gjatë 2013-s, “pavarësisht ndërlikimeve komplekse që lidhen me tregjet e huaja dhe disa kushteve specifike brenda vendit”.
Deklarata e Keqiang vjen pasi Kina publikoi rritjen më të ulët në dy dekada në tremujorin e dytë të 2013-s, çka ka ngjallur dyshimet se ekonomia e dytë më e madhe në botë mund të jetë duke u përfshirë në një kurbë rënëse të rritjes.
Top Channel