
Partia Demokratike do të vendosë të hënën për drejtuesit në strukturat
kuvendore. Të hënën paradite, në orën 11:00, pritet të zhvillohet dhe
mbledhja e parë e grupit demokrat, i cili do të mbahet në selinë e re të
PD-së.
Qëllimi i kësaj mbledhjeje është zgjedhja e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, si dhe nënkryetarit apo dhe krerëve dhe nënkryetarëve të komisioneve parlamentare. Por cilët janë kandidatët për kreun e PD-së? Në ambientet e PD-së përfliten disa emra si Oerd Bylykbashi, Arben Imami apo dhe Eduard Selami.
Kryedemokrati Basha, sipas burimeve, mësohet se po synon më tepër që të caktojë një figurë sa më pak të anatemueshme, një emër të ri, por do të jetë grupi i PD-së që do të vendosë në mënyrë finale. Do jetë Basha që do të propozojë emrin e kreut të grupit të PD-së.
Jo jashtë përmendjes si kandidatura është edhe rivali i Bashës për kreun e PD-së, Sokol Olldashi. Kjo mund të shihet si një ide për bashkimin e bazës së PD-së, duke bërë të mundur kompaktësinë e partisë më të madhe të opozitës. Mbi bazën e statusit të PD-së, kreu i grupit parlamentar të PD-së, është në mënyrë automatike dhe nënkryetar i kësaj partie.
Nëse në këtë post zgjidhet Olldashi, atëherë në mënyrë automatike, ministri i Transporteve do të jetë dhe numri dy i PD-së. Kohët e fundit, Basha, në takimet zyrtare të tij si kryetar i PD-së është parë të shoqërohet me figura të reja si Eduard Selami, Oerd Bylykbashi apo Gerd Bogdani.
E gjithë çështja qëndron në faktin se, nëse do të ketë një votim në grupin e PD-së apo do të merren vendime me konsensus. PD-ja do të ketë jashtë Parlamentit kryetarin e saj, pasi Basha ushtron postin e kryetarit të bashkisë. Demokratët janë përballë situatës së zgjedhjes së kreut jo potent në grup, pasi nuk duhet të dublojmë figurën e Berishës, apo ish-kryeministri do të pranojë të ketë një person si kryetar grupi që mund ta komandojë atë.
Grupi parlamentar pritet të diskutojë në të njëjtën kohë dhe për emrat e drejtuesve të komisioneve parlamentare. Mendohet që ministrat që kanë qenë në qeverinë “Berisha”, mund të marrim postet si kryetarë apo nënkryetarë komisionesh, pasi kjo mund të shërbejë dhe si një mbrojtje për punët e kryera nga ana e qeverisë. Një problem jo i vogël për PD-në pritet të jetë marrëdhënia me aleatët e saj. Qartazi linja e PD-së pritet të mos jetë e njëjtë me atë të aleatëve, pasi këta të fundit pritet të mos jenë agresivë. Natyrisht peshën kryesore do ta mbajë PD-ja, por vetë aleatët duket se kanë dhënë sinjale largimi nga demokratët. PDK-ja e Nard Ndokës, edhe pse i zgjedhur nga listat e PD-së, ka dhënë sinjale për largimin nga fronti opozitar dhe bashkimin me të majtët. Ndoka ka deklaruar në media se do të kërkojë bashkimin me partinë tjetër kristiandemokrate, e cila mori një deputet, duke iu bashkangjitur koalicionit të majtë politik. Një tjetër dilemë e Bashës pritet të jetë nëse do t’i ndihmojë aleatët të krijojnë grupin e tyre parlamentar apo do t’i lërë ata që të formojnë një grup të qendrës.
Top Channel