Është rikthyer këtë të enjte në ekranin e Top Channel emisioni “Top Story”, me një transmetim nga Uellsi, aty ku liderët e vendeve të NATO-s janë mbledhur në një samit, që diskuton çështje madhore si kriza në Ukrainë, apo strategjia e re e mbrojtjes së NATO-s.

Të ftuarit e gazetarit Sokol Balla në studion e improvizuar në ambientet pranë samitit kanë qenë ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati dhe kryeministri Edi Rama.

Sokol Balla: Zonja Kodheli, cilat janë impresionet e para për këtë samit kaq të rëndësishëm?

Mimi Kodheli: Impresioni im është pozitiv. Është impresioni i pjesëmarrjes në ngjarjen më të rëndësishme politike të vitit.

Sokol Balla: Cilat janë sfidat e Shqipërisë, duke përmendur këtu Afganistanin, ku NATO po mbaron misionin, si dhe Irakun dhe ISIS?

Mimi Kodheli: Samiti ka një ndërthurje të situatës së krijuar dhe vendosjes së strategjive. Ka një diskutim dhe vendimmarrje përsa i përket misionit në Afganistan dhe Shqipëria renditet ndër vendet e para sa i përket kontributeve që ka dhënë atje por edhe në Irak, Çad, etj. Pa dyshim që do të preken vendime të rëndësishme për situatën në Ukrainë dhe atë shqetësuese të krijuar në Irak, Siri, Libi, përgjithësisht në Lindjen e mesme.

Sokol Balla: Zoti Bushati, çfarë mendoni se ne mund t’i japim NATO-s?

Ditmir Bushati: Për një vend anëtar nuk është e drejtë të shtrohen këto çështje, sepse të gjitha vendet kontribuojnë, në përputhje me avantazhet që kanë. Në disa zona të caktuara të globit, për shkak të rrezes së veprimit, Shqipëria ka se me çfarë të kontribuojë, sikundër është fakti se në pozicionin e ministrit të Jashtëm kam vënë re se gjatë këtij viti është rritur mjaft ndërveprimi mes agjencive të inteligjencës dhe kjo është një mundësi për të rritur kapacitetet tona. Sot po shohim se si do ristrukturohet marrëdhënia e NATO-s me Rusinë, në një kohë kur kufijtë kanë ndryshuar shumë. Ndoshta është një moment i mirë për të kuptuar se si do të jetë NATO në vitet e ardhshme.

Sokol Balla: Duket sikur nuk kanë ndryshuar disa aspekte. Rusia po paraqet sërish një kërcënim real. Armëpushimi u prish dhe ka pasur teste bërthamore. Duket sikur bota po vuan nga një tërheqje të NATO-s përballë Rusisë. Në këtë aspekt ç’mund të ndryshojë në samit?

Ditmir Bushati: Vendimmarrja nuk është aq e thjeshtë sa duket, aq e centralizuar. Por nga diskutimet që kemi bërë mund të themi se qëndrimet e përdorura në raport me Rusinë kanë ardhur duke u përforcuar dhe qëndrimi i vendeve anëtare ka ardhur në konsolidim e sipër. Gjithashtu, po shqyrtohet traktati NATO-Rusi. Këshilli NATO-Rusi ka funksionuar mirë, por është dëmtuar pas aneksimit ilegal të Krimesë. Çështja kryesore është mbrojtja e kufijve dhe garantimi i akteve themeluese të NATO-s.

Sokol Balla: Zonja Kodheli, një nga shqetësimet është se disa vende anëtare të NATO-s nuk pranojnë kërkesën për rritjen e shpenzimeve ushtarake. Shqipëria çdo të bëjë në këtë drejtim?

Mimi Kodheli: Ne jemi në 1 për qind të investimit të GDP-së për mbrojtjen. Me bindje të plotë ju them se shpenzimet kanë qenë edhe më parë, por janë përdorur në mënyrë abuzive dhe jo në funksion të modernizimit të Forcave të Armatosura. Vetëm pas 5 vjetësh që jemi anëtarë të NATO-s kemi përgatitur ndryshimin e armatimit, për të kaluar nga Kallashnikovi në një armë tjetër me të cilën FA do të pajisen këtej e tutje. FA do kenë batalione të pajisura me një set të caktuar armatimi dhe ne do ta realizojmë këtë brenda pak muajve. Këtë na kërkon NATO. Nëse nesër një vend anëtar i NATO-s cënohet nga një vend tjetër jo anëtar, vendet e Aleancës do marrin masat që mbrojtja kolektive të funksionojë më së miri.

Sokol Balla: Presidenti rus Putin ka thënë se ato zona që ka aneksuar do t’i mbajë…

Mimi Kodheli: Vendet në kufi me Rusinë ndjejnë një presion më të madh. Para pak muajsh vizitova një bazë ajrore në Lituani, ku forcat aleate ishin të pranishme dhe mora garancinë se mbrojtja kolektive do funksionojë më së miri.

Sokol Balla: Po shqiptarët përballen me një rrezik real?

Mimi Kodheli: E gjithë bota përballet me një rrezik real. Shqipëria, veç faktit se në Ballkan ka edhe vende të tjera anëtare të NATO-s, gjë që e bën rajonin më të sigurtë, duhet të luajë një rol në rajon dhe po bën më të mirën. Mund të them se qytetarët shqiptarë duhet të jenë mëse të sigurtë se vendi ynë do ketë një nivel kërcënimi nga më të ulëtit.

Sokol Balla: Zoti Bushati, cila është përqasja e vendeve anëtare ndaj krizës në Ukrainë?

Ditmir Bushati: Ka dy përqasje në këtë drejtim. Ende nuk është marrë një vendim final. Vendet në kufi me Rusinë ndjejnë rrezikun, ndërsa vende të tjera kanë një qëndrim jo shumë strikt ndaj kësaj çështjeje. Sidoqoftë, ne besojmë se kjo është një çështje e rëndësishme që ka të bëjë me mbrojtjen kolektive dhe me mënyrën se si do ristrukturohet NATO dhe jo thjesht me përgjigjen ndaj një kërcënimi. Disa vende janë nën kërcënimin e Rusisë, por edhe Ballkani është një zonë ku influencat ruse shpesh përplasen me ato të Perëndimit. Kriza në Ukrainë e dëshmon këtë, pasi Shqipëria ishte e vetmja që doli hapur pro-linjës së NATO-s.

Sokol Balla: Të prekim temën e ISIS, që është bërë e rëndëishme edhe për ne sepse qindra shqiptarë janë rekrutuar nga një forcë. A ka një llogari për pjesëmarrësit në luftë nga Shqipëria?

Ditmir Bushati: Ky është një fenomen i rrezikshëm që nuk ka të bëjë me harmoninë fetare në Shqipëri. Nuk është një fenomen shqiptar apo ballkanas, por është një fenomen ndërkombëtar, që ka prekur shumë vende evropiane dhe SHBA. Ne jemi në linjë komunikimi me vendet e rajonit dhe partnerët tanë. Ky samit ka një specifikë për zhvillimet në jugun e Evropës, me situatën dramatike që paraqitet në Irak, Libi, Siri, etj. Ky është një fenomen që duhet të luftohet jo vetëm me masa represive, por edhe përmes disa specifikave sociale, përmes integrimit të mëtejshëm të Ballkanit dhe ngritjes së urave të komunikimit mes rajonit dhe strukturave Euro-Atlantike. Nuk e kemi mohuar ekzistencën e kësaj dukurie, por përpiqemi çdo ditë të përballemi me të dhe të japim kontributin tonë në misionet ndërkombëtare.

Sokol Balla: Mund të thoni për çfarë specifikash sociale bëhet fjalë?

Ditmir Bushati: Për situatën ekonomike dhe varfërinë në Ballkan, që është ndryshe nga ajo e vendeve të BE dhe Amerikës së Veriut. Prandaj ky fenomen nuk mund të asgjesohet vetëm me masa represive, si shërbimet sekrete apo agjencitë policore. Fakti që pas gjithë këtyre përpjekjeve ka ende probleme me kufijtë, politikat e mbrojtjes, etj, na bën të besojmë se duhet një vëmendje më e strukturuar e vendeve që bëjnë pjesë në komunitetin Euro-Atlantik ndaj rajonit. Besojmë se në këtë drejtim ka një ndërgjegjësim më të madh. Vizita e Papa Françeskut shpresojmë se do të shërbejë si një përçim mesazhi për më shumë harmoni fetare në të gjithë botën.

Sokol Balla: Strategjia Kombëtare, një nga dokumentet më të rëndësishme, është kthyer mbrapsht nga komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura, presidenti Bujar Nishani. Si e komentoni këtë?

Mimi Kodheli: Dokumenti i Strategjisë Kombëtare, që miratohet nga Parlamenti, është shumë i rëndëishëm pasi cakton se si Shqipëria do të përballet me çështjet e sigurisë dhe ato gjeo-politike. Ky dokument është konsultuar me të gjithë aktorët, përfshirë tre këshilltarë nga Presidenca, por përgjigjet nga kjo e fundit kanë qenë cinike dhe të papërgjegjshme. Ne kemi qenë të hapur për çdo diskutim dhe nuk mund të jemi më të hapur për një diskutim tjetër, pasi Parlamenti ka dhënë pëlqimin e tij. Ndaj mendoj se kjo është diçka e kaluar. Ky është një dokument që nuk bëhej që nga viti 2004, edhe pse Shqipëria në këto vite u anëtarësua në NATO.

Ditmir Bushati: Do doja të shtoja vetëm disa elementë të nevojshëm. Nuk i di arsyet që e shtynë presidentin të refuzonte sepse ky ka qenë një proces i institucionalizuar me tre këshilltarë të Presidencës. Grupi përgjegjës ka punuar me kujdes. Ka pasur dakordësi nga të tre këshilltarët e presidentit. Unë me iniciativën time e kam informuar atë me ecurinë, është zhvilluar mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe është zhvilluar vetëm me vullnet të mazhorancës aktuale. Gjithashtu, ky dokument është hartuar nën asistimin e qendrës Marshall. Pasi dokumenti ishte mbyllur erdhën reagimet.

Sokol Balla: Zonja Kodheli, si e komentoni mbylljen e hetimeve për ish-ministrin e Mbrojtjes Arben Imami?

Mimi Kodheli: Nuk është mbyllur hetimi, është mbyllur vetëm një pjesë për një dokument që unë kam dorëzuar në prokurori. Bëhet fjalë për një abuzim, ndërsa vazhdojnë edhe hetimet për përgjimet. Kush ka thyer apo do thyejë ligjin do të ndëshkohet.

Në pjesën e dytë të “Top Story”, në panelin e të ftuarve nuk kanë qenë më ministrja e Mbrojtjes Kodheli dhe ministri i Jashtëm Bushati, por bashkëbisedimi është zhvilluar me kryeministrin Edi Rama.

Sokol Balla: Zoti Rama, ky i Uellsit është një samit i rëndësishëm i NATO-s, ku administrata socialiste e Shqipërisë përfaqësohet me 3 titullarë dhe jep impresionet e qeverisë së re të Shqipërisë.

Edi Rama: Është një samit i veçantë, në një situatë me sfida të veçanta, të cilat kërkojnë një trajtim të veçantë dhe një sakrificë nga të gjithë. Por, besoj se pavarësisht të gjitha pengesave të mundshme, ky do të arrijë të japë përgjigjet e duhura.

Sokol Balla: Nga Konferenca e Berlinit deri te samiti i NATO-s, duke Ju njohur them që nuk është se kontaktet me të huajt iu kanë pëlqyer në të kaluarën, ndërsa tashmë duket se diçka ka ndryshuar, sidomos që pas kontakteve të para me Kancelaren Merkel.

Edi Rama: Jo, nuk është se kam pasur probleme të jem në kontakte me të huajt. Madje, duke qenë se në këto kontakte jemi as më pak e as më shumë se sa të barabartë, them se nuk shoh ndonjë gjë jonormale në lidhje me të huajt, qoftë edhe problem nga ana ime. Sa i përket atyre që deklarohen në takime të tilla, mund të them se linja jonë është shumë ndryshe nga përfaqësuesit e kaluar të Shqipërisë përballë të huajve, duke mos i sharë apo fyer kundërshtarët përballë të huajve. Jemi munduar që në çdo bisedë të përpiqemi të nxjerrim në pah vetëm gjërat më të mira dhe vlerat më të mira të kujtdo, qoftë edhe në Partinë Demokratike.

Sokol Balla: Keni pasur kontradikta parimore me opozitën e sotme, Ju nuk e keni kritikuar opozitën te të huajt?

Edi Rama: Jo, kur bie fjala për të biseduar me të huajt është shumë e rëndësishme që të japim gjërat më të përgjithshme dhe më themelore të të gjitha diskutimeve, duke lënë mënjanë debatet dhe konfliktet që kemi mes nesh, pasi besoj se askush prej të huajve nuk e vlerëson marrjen e energjive negative kur diskuton me palën tonë. Ne kemi menduar se është tepër e domosdoshme një qasje e tillë, edhe pse unë vij nga një periudhë e gjatë në opozitë dhe ata që kanë ikur kanë pasur një eksperiencë më të gjatë në pushtet. Tashmë koha ka ndryshuar dhe qasjet gjithashtu.

Sokol Balla: Opozita ka kontribuar me sa ka mundur në disa prej çështjeve kryesore, qoftë në marrjen e statusit kandidat, ashtu dhe në disa komisione parlamentare. Çfarë i referoheni kur thoni se opozita e sotme vetëm jep energji negative?

Edi Rama: Ne kurrë nuk kemi kërkuar apo pretenduar që opozita të lavdërojë qeverinë kur flet me të huajt, por për shkak të një qasjeje provinciale dhe ndryshe nga ambienti i ri i përjetimit me partnerët ndërkombëtarë, besoj se opozita ka një sens jo të duhur dhe po bën një figurë shumë të keqe dhe jo të jetë aty si një alternativë. Sigurisht, duke qenë një alternativë do të ofronte më shumë për popullin shqiptar. Nga vizitat e mia në Gjermani, kam mësuar se opozita atje nuk flet kurrë negativisht për qeverinë, pasi nuk shohin në këtë aspekt ndonjë përfitim për veten e tyre, duke sharë drejtuesit e vendit të tyre.

Sokol Balla: Jemi pjesë e këtij samiti tepër të rëndësishëm, por çfarë do të ndryshojë tashmë për ne dhe a do të jetë Shqipëria një anëtare me rol të rëndësishëm në NATO?

Edi Rama: Shumë gjëra priten të ndryshojnë, pasi Shqipëria vjen nga një periudhë shumë e keqe degjenerimi i Forcave të saj të Mbrojtjes, gjëra që janë vënë re edhe nga NATO në të kaluarën, për shkak të korrupsionit, të moszbatimit të ligjit, të propagandave etj. Madje, ne nuk jemi këtu për të propaganduar se jemi ëngjëj mes djajve, apo gjëra të tilla të pakuptimta të sjelljes së vjetër, thjesht jemi të pranishëm për të dëgjuar të gjitha problemet dhe për të dhënë kontributin tonë me sa mundemi.

Sokol Balla: Keni thënë se në Shqipëri shumica e shqiptarëve janë me sjellje dhe synime perëndimore, por Shqipëria ka një shumicë muslimane dhe ka shumë të vajtur në luftimet në Siri apo zona të tjera. Gjithashtu, Shqipëria tashmë është ndër vendet e para që ka ashpërsuar legjislacionin antiterrorizëm.

Edi Rama: Është diçka që ka kohë që ka nisur, madje, kur unë diskutoja për këtë çështje, shumëkush habitej. Kam biseduar me ndërkombëtarët në çdo takim dhe në çdo diskutim duke vendosur theksin që Shqipëria të shihet si një pasuri e veçantë kulturore, pikërisht për shkak të bashkëjetesës fetare, si një prej vlerave më të mira të shoqërisë shqiptare, e më tej për të mos lejuar që problemet që ushqejnë ekstremizmin, si varfëria apo problemet sociale, të rriten më shumë e të na kthehen pastaj në një bumerang të pazgjidhshëm. Kam parë që në Bashkimin Europian disa e shihnin si një problem dhënien e statusit ndaj një vendi me shumicë muslimane, dhe nuk ka kaluar shumë kohë nga momenti kur unë kam folur hapur kundër tyre, apo për t’u dhënë argumenta se, edhe për arsyen e rrezikshmërisë që na kanoset nga ekstremizmi, mendoj se tashmë Europa ka nevojë për Shqipërisë, po aq sa Shqipëria ka nevojë për Europën. Ashtu sikurse dhe Ballkani ka nevojë për një frymë të re bashkëpunimi, duke lënë si pjesë të historisë problemet mes vendeve tona dhe për t’i hapur rrugën një partneriteti të ri.

Sokol Balla: Cameron diskutoi mbi një projektligj për heqjen e pasaportave të qytetarëve, që kanë shkuar në Siri, ndërkohë që në Shqipëri duket se është varfëria që i shtyn njerëzit të ndërmarrin këto veprime. Çfarë mund të bëhet më shumë që të shmanget ky rrezik dhe të mos nxiten më shumë shqiptarë të shkojnë nëpër vatra lufte?

Edi Rama: Ne do të jemi të prerë në raport me këta element, pasi asgjë nuk e justifikon këtë barbari. Fakti që i gjithë komuniteti ndërkombëtar, që përfaqëson forcat perëndimore me bindje ndryshe nga ato të ekstremistëve, kërkon t’i ndalë këto rryma, do të na japë neve vendosmërinë për t’i luftuar me çdo mjet të mundshëm të tilla rreziqe që na kanosen.

Sokol Balla: Këto probleme janë shfaqur edhe shumë pranë vizitës për herë të parë të Papës në Tiranë.

Edi Rama: Vizita e Papa Françeskut është një ogur shumë i mirë, e mbi të gjitha për shkak të asaj që edhe ai vet e ka theksuar, që vjen në Shqipëri për të vizituar një vend, i cili vjen nga një periudhë e gjatë mbylljeje, por që nuk ka probleme me lirinë fetare, madje tregon se mund të jetojë më së miri mes të gjitha besimeve dhe në një demokraci të plotë. Tashmë duhet më shumë bashkëpunim, më shumë integrime, më shumë zhvillime, e jo të qëndrojmë ende te grindjet apo ofendimet mes njëri-tjetrit, gjëra që na lënë në vend dhe nuk na çojnë përpara.

Sokol Balla: Zoti Rama, Papa Françesku do të vijë në Shqipëri dhe protokolli i jep rëndësi presidentit, a ka ndonjë problem këtu?

Edi Rama: Jo, asnjë problem. Duhet të kemi parasysh se Papa është edhe kryetar i shtetit të Vatikanit, kështu që do të takohet me kreun e shtetit shqiptar.

Sokol Balla: Sali Berisha ju ka akuzuar për lëvizjen e statujës së Nënë Terezës…

Edi Rama: Këto janë manipulime mediatike. Aktualisht statuja po restaurohet dhe nëse po bëhet është sepse qendra e veprave të artitu u shkatërrua nga qeveria e kaluar dhe iu dha klientëve të pushtetit të vjetër.

Sokol Balla: Kalojmë tek politika normale. Rrëzuat të gjitha dekretet e presidentit, a ka një luftë apo konflikt të hapur këtu?

Edi Rama: Nuk ka asnjë luftë e asnjë konflikt të hapur, por ka detyrime për të çuar përpara axhendën tonë të reformave, të cilat nuk do të ndalen kushdo që del përpara.

Sokol Balla: E quaj konflikt sepse ju miratoni ligjet dhe ai i kthen…

Edi Rama: Nëse presidenti ka zgjedhur të bëhet instrument i opozitës, kjo është një sjellje e shëmtuar. Por reformat nuk do të ndalen dhe ne nuk do lejojmë asnjë humbje kohe. Nëse presidenti vendos ta shfrytëzojë kohën në favor të partisë së tij, kjo është zgjedhja e tij.

Sokol Balla: Edhe ju i keni ashpërsuar qëndrimet disa herë…

Edi Rama: E përsëris, ka mbaruar me ardhjen tonë në qeveri kur nga foltorja e Parlamentit qeveria sulmonte egërsisht presidentin. Kjo nuk do të thotë që ne do të heshtim, por do themi hapur atë që mendojmë. Ka pasur gjatë viteve raste kur qeveritë sulmonin presidentët, ndërsa sot kemi rastin e parë që një president sulmon qeverinë. Presidenti i sotëm reagon si një parti politike duke u prononcuar në ekrane televizive.

Sokol Balla: Mandati i presidentit aktual dhe i qeverisë mbyllet në 2017. Si ju duken parashikimet?

Edi Rama: Këtu nuk ka asnjë problem. Reformat tona nuk do të ndalen. Më e rëndësishme është ajo në drejtësi dhe do ishte mirë që presidenti ta nxiste të ecte përpara.

Sokol Balla: Ju do ta ftoni presidentin?

Edi Rama: Presidenti ka kompetencë shumë më të lartë si kryetar i KLD-së dhe nuk ka nevojë për ftesën tonë që ta udhëheqë këtë reformë.

Sokol Balla: Ju thatë që drejtësia është kryefjala e sesionit të ri politik. çdo të thotë?

Edi Rama: Shumë shpejtë do të mbahet një konferencë e madhe që do të çelë sesionin e ri politik dhe ku ne si qeveri do jemi pjesë dhe nuk do mbajmë asnjë ekskluzivitet për këtë reformë. Këtu do të ishte e mirëpritur opozita të marrë pjesë dhe po ashtu shumë aktorë të tjerë. Por reforma do të bëhet pavarësisht bojkoteve dhe përpjekjeve për ta ndaluar.

Sokol Balla: Opozita është jashtë Parlamentit. Duke qenë se PD është partia kryesore e saj, ju nuk mund të luani me të…

Edi Rama: Kam bërë dhe do bëj që të mos i kthehemi opozitës me energji negative që pushteti i deridjeshëm ka preferuar të bëjë me ne gjithë kohën, duke lëshuar gjuhën e baltës me akuza shumë të rënda dhe shpifje brutale. Ne do t’u lëmë hapësirën e tyre dhe ata le ta përcaktojnë vetë fatin e tyre. Ata në Kuvend kanë folur më shumë se sa ne. Ne nuk jemi zgjedhur për t’i bërë moral opozitës, por jemi zgjedhur për të udhëhequr dhe na takon që opozitës të mos i bëjmë asgjë nga ato që na kanë bërë ne kur ishim në opozitë. Opozita e sotme preferon vetëm të japë deklarata dhe të presë reagimin e aleatëve. Nuk është një opozitë në bazë të realiteteve të vendit, por qahet për realitetin e vetë. Braktisja e Parlamentit është një formë që mund të përdoret, por ta braktisësh duke thënë ‘nuk shkoj nga lagjia e atyre sepse na rrahin’, është…

Sokol Balla: Nuk është tërësisht kështu, opozita kërkon garanci. Ju nuk keni reaguar për shqetësimet e opozitës, si për shembull për dhunën ndaj deputetëve të saj.

Edi Rama: Ne kemi reaguar menjëherë dhe kemi mbajtur qëndrimin tonë. Sigurisht nuk kemi kaluar në një proces për të bërë një ligj se kush shkarkon deputetin, por në Kodin e Etikës që do të miratohet së shpejti do përcaktohet shumë qartë se çdo sjellje e kësaj natyre e çdo deputeti të shumicës do të sanksionohet shumë fort.

Sokol Balla: Opozita ka kërkuar më shumë kohë për reformën territoriale. A do të ishte ‘fair play’ të mbaheshin zgjedhjet lokale pa pjesëmarrjen e opozitës?

Edi Rama: Ajo që vlen të përmendet është se reforma territoriale është një reformë e mbështetur në mënyrë të qartë nga gjithë komuniteti ndërkombëtar, pavarësisht mungesës së opozitës. Këtu opozita duhet të reflektojë. Kjo reformë është kaq e rëndësishme dhe historike për Shqipërinë, saqë edhe vetë ndërkombëtarët kërkuan që të prisnim një muaj më shumë për opozitën edhe pse ajo ka pasur kohë të reflektonte. Por tani kjo çështje ka kaluar.

Sokol Balla: Keni thënë se s’do ta shkarkoni Ardian Fullanin, por a duhet ta kishte dhënë ai dorëheqjen?

Edi Rama: Kemi folur as më shumë e as më pak sa duhet të flasë qeveria për një çështje kaq delikate, kur rrethanat janë të qarta. Ne nuk jemi shoqëri civile, ne jemi qeveria dhe kemi detyrimin të jemi të vëmendshëm ndaj kësaj çështjeje dhe po e ndjekim atë hap pas hapi. Kemi detyrimin të respektojmë pavarësinë e Bankës së Shqipërisë dhe s’kemi pse të marrim masa radikale.

Sokol Balla: Po thoni që Fullani duhet të shkarkohet, por s’kemi pse të shkojmë aq larg?

Edi Rama: Ligji për Bankën e Shqipërisë është shumë i qartë. Është po ashtu e qartë se ligji duhet ndryshuar dhe ne do ta ndryshojmë në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe FMNnë dhe të mos e ndryshojmë atë nën efektin e temperaturës së rrethanave. Po presim hetimet, nga jashtë duket që ka një segment pune nga ana e prokurorisë, pasi nuk lexohet ajo tendenca e vjetër e zvarritjes së procesit. Ne presim me padurim që ky proces të mbyllet pasi kjo ngjarje është e dëmshme. Mbi bazën e hetimit të prokurorisë duhet të nxjerrim konkluzione të qarta, jo për të dhënë ndëshkime por për të patur një pikëpamje të qartë të ndërhyrjes që duhet të bëjmë në ligj. Ajo që ka ndodhur është shumë e rëndë dhe sigurisht për atë që ka ndodhur duhet të merren të gjitha masat që të mos përsëritet.

Sokol Balla: Një mbledhje e gjatë e grupit parlamentar socialist u zhvillua në Durrës. Mediat flasin për ndarje shpërblimesh, çfarë po ndodh realisht?

Edi Rama: Ajo ishte vetëm një formë e shpejtë e një mundësie ku të gjithë të flisnin pas një sesioni qeverisjeje dhe kjo tregon hapësirën për të shkëmbyer pikëpamje. Kemi nxjerrë konkluzione dhe s’jemi mbledhur thejsht për të bërë muhabet.

Sokol Balla: Keni konfirmuar se nuk do ketë ndryshime në qeveri…

Edi Rama: Nuk kam konfirmuar asgjë të tillë sepse nuk kisha përse ta konfirmoja. Nuk e kam shtruar si çështje e as nuk kam ndërmend ta shtroj. Ne po bëjmë reforma të thella dhe të tjera do të bëhen në vijim, prandaj s’kemi pse të bëjmë ndryshime ministrash.

Sokol Balla: Ka ministra të përfolur që mund të lënë kabinetin për të kandiduar për bashkitë e rëndësishme si të Tiranës apo Durrësit, si për shembull Erjon Veliaj. Ka diçka të vërtetë për këtë?

Edi Rama: S’ka asgjë të vërtetë. Erjon Veliaj do të jetë ministër i Mirëqënies Sociale deri në fund të mandatit. Ai po bën një punë shumë të mirë, përtej gjithë pritshmërive, duke kthyer në ministri të dorës së parë atë dikaster që deri dje konsiderohej si një lëndinë për ta qethur.

Sokol Balla: Zoti kryeministër, faleminderit.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA