Mima:Ekspertët i kërkuan Ramës të mos rrisë taksat

31/08/2013 00:00

Konferenca dy ditore e Partisë Socialiste “Shqipëria e Gjeneratës
tjetër” është vënë sërish në “shënjestër” të qeverisë në largim.

Ministri i Ekonomisë ende në detyrë Florion Mima, përmes një deklarate për mediat, ka theksuar se kryesocialisti Edi Rama duhet t’i kushtojë rëndësi porosive të lëna unison nga ekspertët e huaj.

“Ndërsa në diskutimet mbi territorin ishin të pranishëm një grup klientësh të zotit Rama, nuk mund të lë pa nënvizuar se pjesë e konferencës ishin ekspertë të nderuar të ekonomisë. Ekspertët e huaj theksuan se përpjekja më madhore duhet të jetë shmangia e rënies së ekonomisë në recesion”, u shpreh Mima. Sipas kreut të METE-s, ekspertët e huaj kërkuan që të rritet ekonomia dhe të bëhet kujdes me taksat, këshillë kjo që sipas tij ka rënë në vesh të shurdhër, pasi ndryshe po procedohet nga ana e socialistëve.

“Ekspertët e huaj kërkuan kujdes për taksat. Këshilla për të rritur ekonominë dhe jo taksat ka rënë në vesh të shurdhër të atyre që po përgatitin projektin për çmontimin e taksës së sheshtë”, tha Mima. Ai u ndal edhe në deklaratat e PS për koncensionet. “Ministrat e rinj që do të marrin detyrën në shtator do të kenë mundësi të kalojnë në lupë çdo koncension, sikundër do të gjejnë në tryezat e tyre dhjetëra projekte madhore e reforma të rëndësishme të ndërmarra përgjatë këtyre viteve nga qeveria demokratike”, tha ai.

Top Channel