Bie kreditimi i ekonomisë

31/08/2013 00:00

Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se kriza e kredive në Shqipëri është
thelluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, në korrik, kredia e dhënë nga
bankat në harkun kohor të një viti ka qenë më e ulët se shlyerjet gjatë
kësaj periudhe.

Kjo ka bërë që kredia për ekonominë të bjerë nga 552.6 miliardë lekë që ishte në korrik të vitit të kaluar në  547.8 miliardë këtë vit. Kjo është hera e parë që nga koha e ngritjes së sistemit bankar privat, kur ekonomia përballet me rënie vjetore të kredisë.

Tkurrja është 0.8 për qind dhe të dhënat e detajuara tregojnë se ka ardhur e gjitha nga huatë për biznesin. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të korrikut bizneset shqiptare kishin në total rreth 100 milionë dollarë më pak kredi në banka se sa një vit më parë.

Një shifër që dëshmon se sektori privat i ekonomisë është në fazë tkurrje. Dhjetë vitet e fundit kredia për ekonominë ka qenë faktori përcaktues për financimin e investimeve të reja dhe rritjen ekonomike të vendit. Sipas studimeve të bankës së shqipërisë efekti i saj në rritjen e prodhimit kombëtar ka qenë 1-5 deri në 2 pikë përqindje shtesë në vit. Por tashmë efekti i saj është shndërruar në negativ. Vitin e kaluar ngërci i kredisë ishte shkaku kryesor që e zbriti rritjen ekonomike në minimumin 15-vjeçar prej 1.6 për qind. Këtë vit kriza është edhe më e fortë. Një ditë më parë, drejtoresha e bankës botërore për rajonin tha se rigjallërimi i kredisë është një nga kushtet kryesor që ekonomia shqiptare të ringrihet nga agonia e rritjes së ulët. Por me kreditë e këqija në 25 për qind dhe kërkesën e vakët konsumatore që frenon investimet e biznesit, kjo duket një sfidë gati në kufijtë e të pamundurës.

Top Channel