Kontrolli online i faturave të CEZ

30/08/2013 00:00

Qytetarët tashmë mund të informohen online në faqen zyrtare të CEZ Shpërndarje, ose përmes një sms-je mbi vlerën korente të faturës së tyre të energjisë elektrike.

“Numri i serisë së faturës, periudha, pagimi apo jo, çdo gjë mund të printohet dhe të shtohet çdo faturë e detajuar. Gjithashtu, përmes SMS-së konsumatorët mund të bëjnë kërkesat e tyre dhe do marrin një përgjigje sqaruese”, ka sqaruar Klodian Zyberi, drejtor IT në CEZ Shpërndarje.

Një tjetër risi është matja në distancë, e cila do të aplikohet duke filluar nga fundi i këtij muaji për subjektet e mëdha, me synimin për të shmangur kontaktin e faturistëve me konsumatorët.

Administratori i CEZ Shpërndarje, Sahit Dollapi thotë se të njëjtat shërbime, në nivel të përmirësuar, janë kontraktuar me 1.2 milion euro shpenzime më pak në total, krahasuar me periudhën kur kompania administrohej nga çeket.

“Deri dje shpenzimet në total të sistemit shkonin në 880 mijë euro në vit, ndërkohë që ne e kemi implementuar këtë sistem me 315 mijë euro, duke reduktuar pothuajse trefish shpenzimet. Gjithashtu, nëse deri dje matja në distancë e korporatave të mëdha kryhej me 460 mijë euro, kontrata e sotme është lidhur me një vlerë prej 160 mijë eurosh”, ka sqaruar Dollapi.

Sipas administratorit të CEZ Shpërndarje, risitë teknologjike si futja e sistemit GPS do të përmirësojnë nivelin e punës së punonjësve, korrektësinë në lexim dhe dërgimin e faturave.

Top Channel