Biznesi, akuza të forta Prishtinës

28/08/2013 00:00

Bizneset shqiptare dhe ato kosovare kanë denoncuar në bllok një vendim
të dyshimtë të Qeverisë së Kosovës, që ndryshon procedurat e zhdoganimit
për eksportet nga Shqipëria.

Alban Zusi, kreu i Shoqatës së Eksportuesve tha se vendimi praktikisht u jep fund shkëmbimeve tregtare Shqipëri-Kosovë.

“Çdo kamion që vjen nga Shqipëria duhet të shkojë në terminalin e caktuar doganor. Aktualisht janë vetëm tre terminale. Në këto tre terminale kostoja e parë shtesë janë 40 euro parkim, është shumë e lartë jo vetëm për vendet e rajonit, por është shumë e lartë edhe në të gjithë Europën. Ne kemi bërë kërkimet tona dhe në asnjë pikë doganore në Europë nuk na rezulton një tarifë e tillë doganore”, tha Zusi.

Por kostot shtesë të parkimit nuk janë të vetmet që u janë ngarkuar eksportuesve shqiptarë nga vendimi i beftë i doganës kosovare.

“Ka një kosto të shtuar të transportit dhe në të njëjtën kohë ka një kosto tjetër të pallogaritur që është kostoja kohore, por e cila kushton mjaft. Nëqoftëse deri para 1 gushtit, një shofer me një mjet transporti kryente 6 rrugë në javë, aktualisht me rregullat e reja të vendosura një shofer kryen vetëm tre rrugë në javë”, tha Zusi.

Bizneset kosovare thonë se vendimi ka motive të forta korrupsioni dhe madje pas tij fshihen interesa antikombëtare.

“Kosova ishte e pushtuar nga Serbia dhe strukturat që janë ndërtuar të interesave në Kosovë nuk do të zhbëhen për një 24 orë. Mirëpo, në fakt, ato struktura kanë një ndikim, është një lob i njerëzve të cilët nuk mund ta pranojnë që produktet shqiptare të jenë në tregun kosovar.Edhe Qeveria është e prekur nga lobe të interesit”, thotë Yzer Gashi, importues kosovar.

Tregtia mes dy shteteve shqiptare nisi të gjallërohej dy vjet më parë kur një konflikt i atëhershëm doganor mes Kosovës dhe Serbisë i riorientoi shkembimet tregtare. Bizneset e Kosoves e shfrytezuan konfliktin per t’ju drejtuar Shqiperise per importe.

Top Channel