Ekspertët: Kujdes me ekonominë

27/08/2013 00:00

21 ekspertë ndërkombëtarë, mes tyre ish-ministra të ekonomisë,
energjetikës, këshilltarë presidentësh, së bashku me ministrat e
kabinetit të ri qeverisës, në ditën e dytë të konferencës ‘Shqipëria e
Gjeneratës tjetër’, shpalosën pikëpamjet e tyre për çështje që lidhen me
ekonominë, punësimin dhe kërcënimet që i vijnë ekonomisë shqiptare.

‘Europën e ëndërruar ta bëjmë këtu, – u shpreh kryeministri i zgjedhur Edi Rama,- dhe ta bëjmë të prekshme theksoi ai për qytetarët tanë, në bashkëjetesën e re që do të krijojë konkurrencë dhe meritokraci.”

Leif Pragrotsky, ish-ministër i Tregtisë dhe industrisë në Suedi u shpreh se Shqipëria duhet të bëjë shumë kujdes me borxhin publik të cilin e vlerësoi si një rrezik. Ai i sygjeroi qeverisë së re ndaljen e përfshirjes së mëtejshme në spiralen e borxhit.

Gjatë dikutimeve ministri i ardhshëm i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj renditi si prioritete të Qeverisë trajtimin e borxheve publike që Qeveria u ka bizneseve. ‘Bëhet fjalë për 400 milionë  euro borxhe, – tha Ahmetaj,- që Qeveria duhet t’u paguajë bizneseve shqiptare. Rivitalizimi për të rritur prodhimin dhe më pas shtimi eksporteve përfshi mbajtjen nën kontroll të situatës energjitike janë dy prioritete të tjera,’ deklaroi zoti Ahmetaj.

Ndërsa Ellen Goldstein, nga Banka Botërore u shpreh se Shqipëria tashmë i ka të gjitha simptomat e problemeve ekonomike që ndeshen në Europë. Sipas saj, Qeveria Rama ka përpara katër sfida. Parandalimin e një krize të mundshme ekonomike, punësimin, rritjen e sektorit të shërbimeve dhe ruajtjen e aftësive të trashëguara në ekonomi.

Zonja Goldstein duke u ndalur në sektorin energjitik të Shqipërisë kërkoi ndërhyrjen e menjëhershmë nga Qeveria Rama për të siguruar vijimin e normalitetit me energji elektrike për të parandaluar atë që ajo e quajti “krizë e pritshme në këtë sektor gjatë dimrit”.

Ministri i ardhshëm i Financave Shkëlqim Cani duke u ndalur në stabilitetin financiar tha se ai kërkon stabilitet të ekonomisë.

“Ekonomia ka hyrë në një fazë që do të preferoja të përdorja një fjalë moderne, interesante, por jo pa e shoqëruar me atë që është në një realitet shumë të vështirë. Natyrisht që ndaj këtij realiteti të vështirë me të cilin po ballafaqohemi, pika e parë që unë do të thoja ishte reforma strukturore, modeli i ri dhe liberalizimi i ekonomisë. Duhet të shtojmë transparencën për publikun lidhur me tatim- taksat për të kuptuar nga vijnë dhe ku shkojnë paratë tona”, tha Cani.

Erjon Veliaj, që pritet të drejtojë Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë u ndal në situatën e punësimit në vend për të cilën tha se “Është nevojë parësore partneriteti mes sektorit privat dhe qeverisë në hapjen e vendeve të reja të punës. Papunësia e të rinjve mbetet shumë shqetësuese pasi të dhenat tregojnë një papunësi prej 30% të të rinjve. Ne duam që ne buxhetin e ri të kemi më shumë buxhet për trajnimin profesional, zhvillimin e zonave rurale dhe për ta bërë bujqësinë më produktive.”

‘Nje prej planeve tona,- tha ai,-  është inkurajimi tek të rinjtë i aftësive sipërmarrëse t’u themi të rinjve se ata që kanë ide interesante ne do t’i nxisim dhe inkurajojmë.’

PD: Urbanistët, klientë të Edi Ramës

Partia Demokratike e ka cilësuar grupin e ekspertëve të huaj që ka ftuar Partia Socialiste si një grup klientelist të Edi Ramës që është thërritur për të marre pjese ne ekzekutimin e vendimeve te tij kunder prones publike e private.

PD akuzoi Ramen se ka neglizhuar ekspertet vendas dhe pushtetin vendor, duke ftuar specialiste te huaj, sipas saj, te padegjuar as ne vendet e tyre.
 
“Këto dite u mblodh ne Tirane nje grup urbanistesh, klientele e vjeter e kryesocialistit, arkitektit te betonizimit te Tiranes. Pjese e nje historie te dhimbshme te kryeqytetit, ky grup, i sajuar dhe i padegjuar ne ndonje vend tjeter, vjen serish te ekzekutoje me komande politike mbi pronat publike dhe private te shqiptareve.Mungesa e qellimshme 11 vjecare e Planit Urban te Tiranes  eshte një leksion bindës se ai e sheh territorin si një hapësirë për ta futur nën kontrollin e tij dhe të miqve të tij.Gjenerata e re e shqiptareve nuk mund te pranoje dhe as te pertype këto shfaqje mediatike demodé, populizmin, neperkembjen institucionale, anashkalimin e elites autoktone, eleminimin e pushtetit vendor, rrenimin e shtetit ligjor, dhe nuk mund të pranojë nje lidership antisistem qe terrorizon qytetaret, qe perpiqet t’i manipuloje, qe planifikon me gjithfaresoj makinacionesh t’u marre pronat me hir apo pahir.Koha për shfaqje mediatike dhe skenike ka mbaruar dher shumica e qytetarëve të vendit presin shëndetësi falas, heqje te taksës së biznesit të vogël, ulje të taksave për 95% të shqiptarëve, legalizim falas, 300 mijë vende pune e të tjera premtime me të cilat PS erdhi në pushtet”, tha Jorida Tabaku, deputete e PD-së.

Top Channel