Vetëm pak ditë përpara se babai i tij të dalë para gjykatës, në atë që përshkruhet si “gjyqi i shekullit” në Kinë, djali i ish-politikanit të lartë, Bo Xilai, ka thënë se shpreson që i ati të jetë i aftë të “mbrojë vetveten pa kufizime”.
Në një deklaratë të dhënë ndaj New York Times, të hënën, Bo Guagua shkruan se prej 18 muajsh nuk ka qenë në kontakt me të atin apo të ëmën, Gu Kailai, e cila vuan dënimin me vdekje me kusht.
“Unë vetëm mund të hamendësoj kushtet e burgimit klandestin të tyre dhe çdo vështirësi, që ata hasin në vetmi”, shkruan ai.
Gu u shpall fajtore në gusht të 2011-s, për vrasjen e biznesmenit britanik Neil Heywood, në një dhomë të hotelit “Chongqing”. Një punonjëse e familjes, Zhang Xiaojun, u dënua gjithashtu për vrasjen, me 9 vjet burgim.
I ati pritet të dalë në gjyq të enjten, i akuzuar për mitmarrje, korrupsion dhe abuzim me detyrën.
“Shpresoj që, në gjyqin ndaj babait tim, atij t’i jepet mundësia për t’iu përgjigjur kritikëve të tij dhe të mbrojë vetveten pa kufizime, të çfarëdo lloji qofshin”, shkroi i riu Bo.
Gjithsesi, ai shton: “Nëse mirëqenia ime ka qenë në këmbim për heshtjen e babait tim, apo bashkëpunimin e mëtejshëm të mamasë time, atëherë verdikti, në mënyrë të qartë s’do të ketë asnjë peshë morale”.
Gjatë gjyqit të saj njw ditor, Gu dha një deklaratë, ku thoshte se ajo nuk i mohonte akuzat se kishte helmuar Heywood, por theksonte se e bëri këtë, sepse mendonte se jeta e të birit ishte në rrezik, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Xinhua.
Bo shkruante, gjatë së hënës, se nëna e tij kishte qenë “e heshtur” prej dënimit dhe nuk pati mundësi të vetëmbrohej kundër “kritikëve oportunistë, që sulmuan reputacionin e saj pa u ndëshkuar”.
“Ajo kapërceu fatkeqësi të paimagjinueshme, pasi u rëndua papritur nga shëndeti në 2006-n dhe izolimi pasues”, shkroi ai. “Edhe pse ky është një ngushëllim i vogël për mua, në lidhje me gjendjen e saj shëndetësore, unë e di se ajo do të vazhdojë të absorbojë gjithçka, për të cilën është akuzuar, me dinjitet dhe zemërgjerësi”.
Top Channel