Shkeljet e ligjit në BSH

17/08/2013 00:00

Shpenzimet e fryra për paga dhe dieta nuk janë zërat e vetme të
abuzimeve në Bankën e Shqipërisë. Top Channel zbardh të tjera detaje nga
raporti i KLSH mbi menaxhimin financiar të bankës.

Këtë herë bëhet fjalë për prokurimet, të cilat sipas raportit kryhen në kundërshtim jo vetëm me ligjin por edhe vetë rregulloren e saj. “Në shumë prokurime-thote raporti- një pjesë e dokumentave të tenderit, përfshirë procesverbalet e komisionit të prokurimit nuk arkivohen”.

Madje sipas KLSH edhe gjatë nënshkrimit të kontratave me fituesit atyre nuk u bashkangjiten dokumentat shoqëruese të detyrueshme me ligj. Por këto nuk janë problemet e vetme. Raporti konstaton se edhe procedura përmes të cilës banka përcakton fondet limit për tenderat e saj është e dyshimtë dhe nuk respekton çmimin më të ulët.

“Banka e Shqipërisë në rregulloren e saj duhet të prcaktojë qartë metodologjinë që duhet të ndiqet për hartimin e fondit limit, ku të përcaktohet cmimi më i ulët me kriteret prioritare për realizimin e shërbimit”, vijon raporti.  

Në fund një pjesë e raportit të kontrollit i kushtohet edhe kontratave për godinat e bankës qendrore. Raporti thotë se Banka ka shkatuar dëme edhe me rikonstruksionin e godinës së re dhe riparimin e hotel “Dajtit”, ku edhe pse janë shkelur të gjitha afatet ligjore nuk është dhënë asnjë arsye zyrtare për vonesat dhe vazhdon të paguajë qira tek privatët. Në këto kushte bujar leskaj, kryetari i KLSH rekomandon urgjentisht që Banka të përllogarisë koston e qirave, që llogariten në rreth 1 milionë dollarë në vit dhe tja ngfarkojë atë kompanive private që kanë shkelur afatet e rikonstruksionit.

Top Channel