Bllokohen eksportet e ndërtimit

16/08/2013 00:00

Nga data 1 gusht të gjitha eksportet shqiptare të materialeve të
ndërtimit drejt Kosovës janë bllokuar për shkak të ndryshimit të mënyrës
së zhdoganimit nga dogana e Kosovës.

Kamionët që hyjnë nga Shqipëria duhet të kryejnë procedurën e zhdoganimit në disa pika private të dhëna me koncension, çka sipas Shoqatës së Eksportuesve rrit koston e hyrjes me 100 deri në 300 euro për çdo kamion.

‘Industria e prodhimit të materialeve të ndërtimit që nga 1 gushti nuk ka eksportuar thuajse asnjë kamion, nga 30 ditë të tillë në ditë që eksportoheshin para kësaj date. Kjo situatë bëhet bllokuese, është me pasoja mjaft të rënda për industrinë e prodhimit të materialeve të ndërtimit, pasi 40 për qind e kapaciteve vendase prodhuese ishin të destinuara për këtë treg”, tha Alban Zusi, shoqata e Eksportuesve.

Sipas Shoqatës së Eksportuesve pagesa prej 40 eurosh që shkon për koncensionarin por edhe transporti rrit me 30 deri në 40 për qind koston e mallit të eksportuar drejt Kosovës, duke e bërë atë jo konkurrues.

“Përvec ‘fee-s’ së koncensionarit, 40 euro në ditë, shkon deri në 120 euro duke llogaritur vonesat,ne kemi dhe kosto të tjera të shtuara, sic është kostoja e transportit,e devijimit,kostoja e pritjes, duke bërë që kjo kosto të variojë nga 100, ndoshta deri në 300 euro për cdo kami on. Duke patur parasysh që vlera e mallit nuk shkon më shumë se 800 euro, një vlerë e shtuar prej 200-300 eurosh do të thotë një vlerë e shtuar prej 30 deri në 40 për qind e kostos së mallit”, tha Zusi.

Shoqata e Ndërtuesve thotë se vetëm për muajin korrik vlera e eksporteve shqiptare të materialeve të ndërtimit drejt Kosovës kapi shifrën e 800 mijë eurove. Bllokimi i këtyre eksporteve do të shkaktonte ulje me 30-40 për qind të kapaciteteve prodhuese të fabrikave në vend dhe të paktën 200 deri në 300 të punëtorë të papunë.     

 

Top Channel