
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë denoncon gjobat sipas saj abuzive deri
në mbi 1 milionë lekë të reja që kompania ‘Cez Shpërndarje’ po u vendos
sipërmarrjeve private.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka thotë se bëhet fjalë për fatura të lëshura me vonesë nga punonjësit e CEZ Shpërndarje, por që përllogariten si kamatvonesë për energjinë e papaguar.
“Shqetësimet e sipërmarrësve që kanë mbërritur në Dhomën e Tregtisë argumentojnë se CEZ Shpërndarje dërgon në mënyrë abuzive në selitë e tyre gjoba për kamatvonesat të papaguara në shifra marramendëse. Kemi të bëjmë me rastet kur faturat janë lëshuar me vonesë nga CEZ-Shpërndarje dhe tani përllogarisin sikur kompanitë apo sipërmarrjet duhet të ishin ato të detyruara që të merrnin këto fatura dhe i llogarisin si kamatvonesa. Kemi të bëjmë me një presion të hapur që i bëhet sipërmarrjes. Realisht gjobat variojnë nga 500 mijë deri në 1 milion lekë të reja, por ka edhe gjoba mbi këtë shifër”, thotë Jaka.
Zoti Jaka thotë se ka patur raste kur ndaj këtyre bizneseve është marrë masa e ndërprerjes së energjisë elektrike po në mënyrë abuzive.
“Ka raste kur CEZ operon nepermjet gjykates, pa e njoftuar fare subjektin. Me anë të urdhër-ekzekutimeve bllokohet llogaria bankare dhe më pas ndërpritet energjia elektrike”, tha Jaka.
Dhoma e Tregtisë i kërkon CEZ Shpërndarje të heqë dorë nga gjobat abuzive ndaj biznesit, siç shprehet zoti Jaka dhe të përmirësojë furnizimin me energji për sipërmarrjet që kohët e fundit ka munguar si pasojë e defekteve të ndryshme.
Top Channel