Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë përpara me bisedimet e nivelit të lartë me Rusinë, gjatë së premtes, pavarësisht vendimit të Moskës për t’i dhënë azil ish-analistit të inteligjencës amerikane, Edward Snowden, bëjnë të ditur zyrtarë amerikanë.
Familjarë të Snowden-it kanë aplikuar për viza, për ta vizituar atë në Rusi, njofton avokati i tij. Snowden përfitoi azil nga Rusia, pavarësisht kërkesave të përsëritura nga SHBA-të, për ta rikthyer atë në Amerikë.
Ai akuzohet për nxjerrjen e informacioneve mbi programet sekrete të mbledhjes së të dhënave të SHBA-ve.
Departamenti i Shtetit bëri të ditur se Sekretari i Shtetit, John Kerry, dhe Sekretari i Mbrojtjes, Chuck Hagel, do të zhvillojnë bisedimet bilaterale mbi disa çështje globale me homologët e tyre rusë, në Washington, përfshi këtu edhe programin bërthamor të Iranit dhe luftën civile në Siri.
Të dy palët do të diskutojnë gjithashtu edhe çështjen Snowden.
Vendndodhja e Snowden në Rusi ende nuk është bërë e njohur publikisht, pasi u largua nga aeroporti ndërkombëtar i Moskës, gjatë javës së kaluar.
Por, avokati i tij ka regjistruar tashmë një adresë në territorin rus, ndaj dhe babai i tij Lon është në pritje të një vize për ta vizituar atë.
Ai tha se Snowden kishte kërkuar këshillën e të atit, se çfarë do të duhej të bënte me jetën e tij të re tashmë. “Ende nuk kemi përcaktuar një datë, por po punojmë bashkë me Anatoly Kucherena, avokatin e Snowden, për të vendosur një datë përfundimtare, që pritet të jetë brenda muajit gusht”, tha Mattie Fein, përfaqësues i Lon Snowden, për agjencinë e lajmeve Reuters.
Vendimi i Rusisë për t’i dhënë azil të përkohshëm ish-analistit të inteligjencës amerikane ka acaruar marrëdhëniet mes Moskës dhe SHBA-ve.
Snowden nxorri detaje mbi programet e survejimit elektronik të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA), që mbledh të dhëna mbi email-et dhe telefonatat e bëra nga shtetasit amerikanë.
Top Channel