Japonia “tregon muskujt”

07/08/2013 00:00

Japonia prezantoi të martën anijen më të madhe luftarake të ndërtuar në vend, që prej Luftës së Dytë Botërore.

Anija e pagëzuar me emrin “Izumo” është e gjatë 250 metër dhe nga autoritetet është klasifikuar si helikopter-mbajtëse dhe në bord mund të transportojë deri në 14 helikopterë.

Megjithatë, me pistën e gjatë të saj, “Izumo” mund të transformohet lehtësisht edhe në një anije aeroplan-mbajtëse, megjithëse autoritetet ushtarake japoneze e mohuan këtë duke deklaruar se “Izumo” do të përdoret vetëm për transport helikopterësh, apo shkatërruese e tyre.

Anija ka kushtuar 1.2 miliard dollarë. Prezantimi i saj në një port të Yokohamas mbërrin në një kohë kur tensionet diplomatike me Tokios dhe Pekinit mbi sovranitetin e një grupi ishujsh në Detin e Kinës, janë përshkallëzuar ndjeshëm.

Televizioni shtetëror japonez tha se “Izumo” do të ndihmojë për një përgjigje më të mirë “kërcënimeve në ujërat pranë Japonisë”.

Po të martën, Kina shprehu shqetësimin dhe paralajmëroi Japoninë mbi zgjerimin e kapacitetit të saj ushtarak.

“Jemi të shqetësuar mbi zgjerimin konstant të mjeteve ushtarake nga ana e Japonisë. Fqinjët e Japonisë dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të jenë të vëmendshëm në këtë drejtim”, citohet nga “Global Neës”, Ministri kinez i Mbrojtjes.

“Japonia duhet të mësojë prej historisë, të qendrojë në politikat e vetëmbrojtjes dhe të përmbushë premtimin e saj për një rrugë zhvillimi të paqtë”, thuhet më tej në reagimin kinez.

Si Kina ashtu dhe Japonia pretendojnë sovranitetin mbi një grup ishujsh shkëmborë të pabanuar në zonën mes Okinauas dhe Tajvanit. Ishujt njihen si Senkaku nga japonezët dhe Diaou nga kinezët. Rëndësia e sovranitetit të ishujve bëhet akoma më e madhe për shkak të pozicionit strategjik të tyre.

Ata ndodhen në kryqëzimin e linjave të anijeve, bota nënujore është e pasur për peshkim dhe studimet e fundit dolën në përfundimin se në zonë ka pasuri disa-miliardë dollarëshe naftë dhe gaz.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA