“Cez Shpërndarje” ka hapur procedurën e tenderit për blerjen e energjisë për vitin 2014, duke dërguar ofertën tek 21 kompani për blerjen e 1.3 mln megavat orë energji elektrike.
Për të plotësuar detyrimin ligjor për mbulimin e humbjeve, kompania hapi një ditë më parë tenderin dhe ofertat duhet të paraqiten jo më vonë se data 10 shtator 2013.
Ndërsa përzgjedhja e fituesit bëhet pesë ditë më pas, më 15 shtator. Kompania sqaron se nuk mund të thotë sa do të jetë fondi për blerjen e energjikë për shkak se çmimi i saj, sipas “Cez Shpërndarje” është i ndryshueshëm në bursë.
“Afati i fundit kohor ishte 5 gushti, por hapja e procedurës së tenderit bëhet në nëntor nëpërmjet blerjes së kapaciteteve nëpërmjet OST, që duhen për vitin 2014. Bëhet fjalë për rreth 150 mega në ditë”, deklaroi administratori i “CEZ”-it, Sahit Dollapi.
Ndërkohë kompania ka vijuar aksionin në zonën e Farkës në kryeqytet për ndërprerjen e energjisë elektrike për konsumatorët debitorë.
“Vetëm sot 240 konsumatorëve u është ndërprerë energjia për shkak se janë debitorë, prihen lidhjet e paligjshme dhe për qytetarët që janë të lidhur kështu plotesohen procedurat për kallëzim penal në prokurori”, shtoi Dollapi.
Paralelisht me ndërprerjet e energjisë për debitorët apo prerjet e lidhjeve të paligjshme, “CEZ Shpërndarje” ka punuar për instalimin e linjës së re 20 KV që, sipas zotit Dollapi, do të përmirësojë furnizimin me energji elektrike për 8 mije banorë nga Uzina Traktor në dalje të Tiranës.
Top Channel