Presidenti amerikan, Barak Obama, vihet në mbrojtje të kompanisë Apple, duke rrëzuar vendimin e qershorit të Komisionit Amerikan të Tregtisë Ndërkombëtare (ITC), sipas të cilit ndalohej shitja e modeleve të vjetër të Iphone-ve dhe Ipad-ëve, një masë që erdhi pas vendimit se kompania kishte shkelur patentën e rivalit Samsung.
Hera e fundit, kur një president ka ndërhyrë për një vendim të tillë, ndodhi në vitin 1987.
Ishte presidenti Ronald Regan, që vendosi veton në favor të kompanisë amerikane “Teksas Instruments”, duke penalizuar disa kompani koreane dhe japoneze.
Vendimi i Shtëpisë së Bardhë u mësua nga Sekretari i Tregtisë me Jashtë, Majkëll Fromen, përmes një letre drejtuar komisionit.
“Vendimi, – shkruan mes të tjerash Fromen, – lidhet me një vlerësim të kushteve të konkurrueshmërisë në ekonominë amerikane dhe efektet mbi konsumatorët e Shteteve të Bashkuara”.
Pas vendimit, presidenti amerikan i la rrugë të lirë Apple-it, përndryshe kompania, prej të hënës, nuk do të mundte të importonte nga Azia dhe të shiste disa modele të Iphone-ve apo Ipad-ëve.
Kompania Apple mirëpriti lajmin dhe falënderoi Barak Obamën, që mbështet inovacionin, dhe shtoi se “Samsung po abuzon me sistemin e patentave”.
Ndërsa koreanja Samsung u përgjigj se “vendimi i Komisionit amerikan të Tregtisë Ndërkombëtare tregoi se po negocionim në mirëbesim dhe se Apple nuk dëshiron të marrë licencën”.
Top Channel