Godina e re, BSH del nga afatet

04/08/2013 15:20

Në 16 shtator të vitit 2009, Banka e Shqipërisë hapi tenderin e kufizuar për rikonstruksionin e ndërtesës së saj qëndrore, me një fond limit 12 milionë euro, pa përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar.

Juria me 11 anëtarë, që drejtohej nga vetë Guvernatori i Bankës, përzgjodhi si projektin fitues atë të një arkitekti italian.

Punimet filluan më 4 janar të vitit 2011 dhe, siç tregon kjo tabelë këtu, afati i përfundimit të tyre ishte 23 muaj, pra data 4 dhjetor e vitit 2012.

Ndonëse kanë kaluar gati tetë muaj nga afati, godina është ende në proces rikonstruksioni.

Zyrtarisht Banka nuk ka dhënë asnjë arsye për vonesën. Që kur nisën punimet për rikonstruksionin, punonjësit e Bankës së Shqipërisë u transferuan në ambiente private të marra me qira.

Sipas dokumenteve zyrtarë, të bërë publik nga deputeti socialist Erjon Braçe, Banka e Shqipërisë paguan 1 milion dollarë qira në vit për ambientet e reja.

Shifra është paguar edhe për vitin 2013, ndonëse Banka duhet të kishte godinën e saj të përfunduar. Por, këto nuk janë shpenzimet e vetme, që Banka ka paguar për ambientet.

Në maj të vitit 2010, përmes një transaksioni të shumëdebatuar, ajo bleu nga qeveria ndërtesën e Hotel Dajtit, me një çmim prej 30 milionë eurosh.

Blerja u pasua me dy vendime të tjera të njëpasnjëshme, për përshtatjen e hotelit në ambiente banke. Të dy me procedura të veçanta.

I pari me vlerë 567 mijë dollarë dhe i dyti, që mban datën 27 korrik 2011, me vlerë 990 mijë dollarë. Godina vazhdon të mbetet e mbyllur, ndërsa Banka shpenzon për qira në ambientet private.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA