Interpol ka lëshuar një alarm global mbi sigurinë në lidhje me dyshimet për përfshirjen e Al Kaedës në arratisjet e fundit nga burgjet.
Interpol i referohet arratisjeve në Irak, Libi dhe Pakistan dhe kërkon nga departamentet e tij që të verifikohet nëse ngjarjet në fjalë kanë lidhje me njëra-tjetrën.
Agjencia policore u kërkon gjithashtu vendeve anëtare që të shqyrtojnë me shpejtësi çdo informacion që mund të kenë në lidhje me këto ngjarje.
Në arratisjen e fundit, 248 të burgosur u larguan nga një burg në veri-perëndim të Pakistanit. Militantët talebanë përdorën armë automatike dhe bomba për të shembur muret e burgut në lokalitetin Dera Ismail Khan, më 30 korrik.
Të paktën 13 persona mbetën të vrarë, mes të cilëve 6 policë, në një shkëmbim të ashpër zjarri mes guerrilasve dhe rojeve.
Autoritetet deklaruan se 30 nga të arratisurit ishin “militantë fanatikë”, të burgosur për përfshirje në atentate vetëvrasëse dhe sulme të tjera të rënda.
Ndërkohë, qindra të burgosur u arratisën nga dy burgje në Irak, në Abu Graib në perëndim të Bagdadit dhe Taxhi në veri, më 22 korrik. Bomba dhe plumba mortaje u përdorën për të realizuar arratisjet në fjalë.
Në këto burgje ndodheshin shumë anëtarë të Al Kaedës. Pas orësh të tëra shkëmbimi zjarri, pasi u sulmua burgu i parë, të paktën 20 anëtarë të forcave të sigurisë mbetën të vrarë.
Pesë ditë më vonë, rreth 1200 të dënuar arritën të arratiseshin nga një burg në qytetin libian të Bengazit, duke alarmuar autoritetet perëndimore.
Top Channel