FBI kopjon taktikat e hakersave

03/08/2013 21:00

Forcat e ligjit në Shtetet e Bashkuara po zgjerojnë përdorimin e mjeteve të përdorura zakonisht nga piratët informatikë për të mbledhur informacione mbi të dyshuarit, duke e sjellë përgjimin telefonik në moshën e elektronikës.

Agjencitë federale e kanë mbajtur të fshehtë përdorimin e mjeteve të tilla, por disa dokumente gjykate dhe intervista me persona të përfshirë në programe tregojnë detaje se si mjetet e piraterisë, përfshirë programet e përgjimit për kompjutera dhe telefonë përmes postës elektronike ose lidhjeve të internetit, po gjejnë gjithnjë e më shumë përdorim.

Persona që njohin veprimtarinë e Byrosë Federale të Hetimeve deklarojnë se përdorimi i mjeteve të piraterisë me urdhër gjykate është rritur pasi agjentët po përpiqen të ecin me hapin e të dyshuarve që përdorin teknologjinë e komunikimit, përfshirë disa tipe të bisedimeve online dhe mjete të dëshifrimit të meesazheve.

Përdorimi i komunikimeve të tilla, që nuk mund të krahasohet me përgjimin e telefonave, identifikohet me termin “going dark” në radhët e forcave të zbatimit të ligjit.

Një zëdhënëse e FBI-së refuzoi të bënte komente mbi këto informacione, të publikuara nga gazeta prestigjoze amerikane “Wall Street Journal”.

FBI zhvillon mjete përgjimi në laboratorët e saj, por edhe blen të tjerë nga kompani të ndryshme të sektorit privat. Me një teknologji të tillë, Byroja mund të aktivizojë në distancë mikrofona në telefona që përdorin programin GOOG +0.26% Android të gjigandit të internetit, bëri të ditur një ish-zyrtar amerikan.

Sipas tij, hetuesit mund të bëjnë të njëjtën gjë me mikrofona në laptop pa e marrë vesh përdoruesit. Nga ana e saj, Google ka refuzuar të bëjë komente.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA